Sporti

Pioli: Interi ka 4 vjet që ka skuadrën më të fortë, Leao kapiten ndaj Juves

04/26/2024 13:33
nga:E K

Juventus-Milan nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat për Stefano Piolin. Skuadra e tij është jashtë kupave, e “plagosur” nga eliminimi në Europa League nga Roma dhe nga një tjetër derbi i humbur, që i dorëzoi titullin kampion Interit, plot 17 pikë larg.

Në Torino do të përballen vendi i dytë me të tretin, por është dhe etapa e parë e një lamtumire të trajnerit që do të konsumohet në fund të kampionatit.

“Kanë qenë 10 ditë delikate, të vështira për të gjithë, dhe për këtë arsye duhet të rikthehemi te fitorja në këtë ndeshje.

10 ditët më të vështira për mua te Milani? Në këto 5 vite këtu nuk ka patur rrugë të mesme, ka patur ose momente shumë pozitive ose shumë negative.

Nuk di të them nëse ky është momenti më negativ, por është ai më afër, ndaj edhe më i dhimbshmi. Nëse do të mund të ndryshoja rezultatin e derbit do të jepja gjithçka kam, por nuk mund të bëhet.

Unë i pari duhet të kuptoj se kjo është pjesë e lojës dhe e punës sime. Duhet të demonstrojmë deri në fund se kush jemi“, u shpreh trajneri i kuqezinjve.

Në “Allianz Stadium” në mes të fushës do të ketë vend për Adli. “Bennacer nuk është në maksimum, dhe Yacine në fazën mbrojtëse është shumë i vëmendshëm, në këtë aspekt është më i besueshëm“.

Me Calabrian dhe Theo Hernandez të skualifikuar, shiriti i kapitenit kalon te Rafa Leao, emblema e një Milani që i mungon lidershipi.

“Rafa po e jeton këtë moment si të gjithë shokët e skuadrës dhe si të gjithë ne. Ishte një dhimbje e fortë të humbnim derbin dhe të shikonim rivalët tanë të festonin.

Nuk na mbetet veçse të reagojmë në ndeshjet e ardhshme. Nuk mund të ndalemi te këto zhgënjime, duhet krenari dhe kompaktësi deri në fund. Objektivi është t’i fitojmë gjithë ndeshjet e mbetura.

Ndaj Juventusit duhet të luftojmë sikur të ishte ndeshja e fundit. Dua një Milan të përqëndruar, për të kaluar një kundërshtar që është mirë. Duhet mbrojtur vendi i dytë“.

Është e lehtë të kuptosh gjendjen shpirtërore të trajnerit emilian, realisht i lënduar për si kanë ecur gjërat në ndeshjet e fundit.

“Dalja nga Europa League dhe ai muaj ku u krijua distanca me Interin, kanë qenë vendimtarë. Interi është më i fortë, ka vazhdimësi. Është solid dhe ne nuk arritëm të mbanim nivelin e tyre.

Por nuk jemi të vetmit. Interi prej 4 vitesh ka skuadrën më të fortë, por ka fituar vetëm dy tituj. Ne nuk kemi patur kurrë skuadrën më të fortë, por kemi luftuar për kreun.

Dhe psikologjikisht kemi dhënë gjithcka. Nëse ka munguar ekuilibri? Presim fundin e sezonit për të bërë të gjitha vlerësimet”, përfundoi Pioli.