Sporti

Pioli i lumtur me fitores, teksa foli edhe për situatën e shëmtuar që ndodhi me portierin Maignan

01/21/2024 13:16
nga:E K

Milani fitoi 2-3 me në Udine, sfidë që prodhoi gjithçka. Gafa, përmbysje rezultati dhe racizëm të tifozëve të Udineses ndaj portierit Mike Maignan.

Trajneri Stefano Pioli foli pas fitores së katërt radhazi të kuqezinjve në Serie A, ku ndër të tjera tha:

“Ishte ndeshje e pisët që duhej fituar. Jam shumë i kënaqur me djemtë, sidomos me ata që hynë nga stoli, të cilët dhanë gjithçka.

Titulli? Unë vazhdoj të mos flas për titullin, por për ndeshjen e radhës. Takimi ndaj ndaj Bolognas duhet përgatitur mjaft mirë. Vetëm me punë mund të tregojmë cilësitë tona.

Maignan? Më vjen keq që disa idiotë i prishën natën dhe humorin. Ata njerëz nuk kanë vend në stadiume, më mirë të qëndrojnë në shtëpi.

Ai episod na hutoi disi, pasi ishim duke kontrolluar mirë pjesën e parë. Gjithsesi, skuadra nuk hoqi dorë edhe kur u duk e vështirë.

Fitorja ime e 100-të me Milanin? Sukses që ka ardhur falë këtyre djemve. Unë besoj te puna që bëj“, u shpreh trajneri i Milanit.

“Djalli” numëron për momentin 6 pikë më pak se Interi kryesues, por zikaltrit e Simone Inzaghit kanë luajtur një ndeshje më pak.