Stefano Pioli nuk ishte aspak i kënaqur me rezultatin ndaj Salernitanas.
Kuqezinjtë kishin marrë epërsinë që herët përmes Junior Messias, por Salernitana që debutoi me trajnerin e ri Davide Nicola refuzoi të dorëzohej dhe mori një barazim 2 me 2, përcjell GazetaBlic Sport.
“Skuadra nuk luajti mirë për sa i përket teknikës dhe zgjedhjeve. Ne ishim të furishëm, jo të pastër në pasimet tona, nuk shfrytëzuam hapësirat maksimale dhe paguam një çmim të rëndë për disa gabime naive”, tha trajneri për Sky Sport Italia.
“Ne kishim filluar fuqishëm dhe morëm epërsinë, por duhej të ishim më të balancuar në objektivat tona dhe t’i lexonim më mirë situatat. Ishim shumë të furishëm dhe patëm disa raste të mëdha për të rikthyer epërsinë pas pushimit, por nuk i shfrytëzuam.
“Jemi të zhgënjyer sepse nuk luajtëm futbollin tonë të zakonshëm. Sigurisht, ne jemi të zhgënjyer, sepse mund të kishim luajtur më mirë. Gjëja shqetësuese është se ne filluam mirë, por më pas bëmë gabime që kohët e fundit nuk i kemi bërë dhe kjo energji e furishme na kapi, u shpërqendruam dhe ja ku jemi tek ky rezultat”, përfundoi ai.


