Cult

Piktorja pa penela/ Adela Osmani prezanton ekspozitën e saj në “World Art Dubai 2023”!

03/21/2023 13:45
nga:Gazeta Blic

Piktorja Adela Osmani mori pjesë me ekspozitën e saj në “World Art Dubai 2023” që u zhvillua nga 9 deri më 12 mars. Pikturat që artistja 24-vjeçare realizon janë abstrakte dhe me anë të tyre ajo ka mundësi të shprehë gjendjen e saj emocionale, por edhe mesazhet që ajo dëshiron të transmetojë te publiku.

Kjo ekspozitë në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen pas pjesëmarrjes së suksesshme që ajo pati me pikturat e saj në Luvër, Paris. “Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim duke më suportuar por dhe duke e vlerësuar artin tim në shumë dimensione”, ka shkruar piktorja në një nga postimet e saj në rrjetet sociale.

Adela ndryshe nga piktorët e të tjerë, bojërat i përzien në telajo vetëm me duar. Nisur nga kjo, ajo njihet shpesh mes artistëve si “piktorja pa penela”. Osmani ka nisur të pikturojë në moshën 8-vjeçare, ndërkohë që studimet universitare i ka vazhduar për “Interior Design”, degë e cila është shumë e afërt me pasionin e saj për pikturën.

Nga pikturat që dikur ua dhuronte miqve apo të afërmve, tanimë pikturat e saj kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Një prej tyre qëndron edhe në Parlamentin Europian.