Sporti

Pietro Balzano Prota flet ekskluzvisht për ‘GazetaBlic Sport’: Evropa është shtëpia e Milanit, “San Siro” do të jetë spektakolar sonte

09/28/2021 13:25
nga:Mergim Rreci

Magjia e Ligës së Kampionëve rikthehet pas 8 viteve në “San Siro”.

Milani, 7 herë kampioni i Evropës, luan sonte ndeshjen e parë si vendas në edicionin e ri të këtij kompeticioni.

Atletico Madrid do të jetë kundërshtari i skuadrës italiane dhe atmosfera në këtë takim pritet të jetë e “zjarrtë”.

Para kësaj ndeshje, eksperti dhe gazetari shumë i afërt me skuadrën e Milanit, Pietro Balzano Prota është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’.

Në shumicën e rasetve informacionet ekskluzive nga klubi janë të siguruara nga ana e tij, ai poashtu është udhëheqës i Radios së madhe të këtij klubi, “Radio Rossonera’.

Ai është poashtu në mesin e personave më të ndjekur nga tifozët e kësaj skuadre në rrjete sociale dhe jo vetëm.

Prota tha se Milani ka rritje të jashtëzakonshme, por që ndeshjet e tilla evropiane janë të ndryshme nga ato të kampionatit.

Megjithatë, ai tha poashtu se skuadra kuq e zi duhet të luajë pa frikë dhe me stadiumin “San Siro” që pritet të ketë atmosferë të “zjarrtë”, fitorja është absolutisht e mundur ndaj Atletico Madrid.

Milani po kalon një moment të shkëlqyer. Edhe kur skuadra nuk arrin të luajë në mënyrën më të mirë, fiton tre pikët në shtëpi. Sigurisht, kundërshtarët e kalibrit të Liverpoolit ose Atletico Madrid janë krejt të ndryshëm nga kampionati, por besoj se Milani tashmë e ka kuptuar plotësisht nivelin e kësaj gare në ndeshjen e parë. Milani duhet të luajë me kujdes dhe mbi të gjitha pa frikë. Duhet ta respektojë Atleticon natyrisht, por ne duhet të përballemi me sfidën me vullnetin për të fituar 3 pikët. Për më tepër, “San Siro” do të jetë spektakolar, ndoshta skuadra spanjoll edhe do të fitojë, por nuk do të jetë një shëtitje e lehtë në park, përkundrazi”, tha Pietro Balzano Prota ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas ai u pyet se deri ku mund të shkojë suksesi i këtij klubi në këtë edicion të ri të Ligës së Kampionëve, atje ku tha se çdo ndeshje duhet të trajtohet me pëqendrim maksimal dhe të kërkohen rezultatet pozitive. Krejt në fund, ai tha se e gjithë bota e di se Evropa është shtëpia e Milanit.

“Milani po përjeton një proces rritjeje, këto ndeshje përdoren për t’u përmirësuar dhe për t’u rritur si në nivel teknik ashtu edhe mendor. Nuk e di se di do të shkojë puna tek grupi, por mund t’ju them me shumë siguri se Milani do të luajë çdo ndeshje deri në fund për të sjellë në shtëpi rezultatin më të mirë të mundshëm. E gjithë bota e di, Evropa është shtëpia e Milanit”, përfundoi Prota.

 

/GazetaBlic Sport/