Lajme

Pezullohet greva e punonjësve të administratës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës

03/28/2022 15:38
nga:Donika Fetahu

Është pezulluar greva e punonjësve të administratës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur sot Këshilli Grevist i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të cilët njoftuan se vendimi është marrë pas takimeve të mbajtura me Këshillin Prokurorial i Kosovës (KPK).

“Këshilli Grevist i Prokurorisë Themelore në Prishtinë njofton se pas takimeve të mbajtura me Këshillin Prokurorial i Kosovës (KPK), janë dakorduar që të pezullohet greva një mujore dhe t’i jepet hapësirë institucioneve kompetente për realizimin e kërkesave legjitime të punonjësve të administratës në një afat të arsyeshëm kohor”, thuhet në njoftimin për media.

Këshilli Grevist i kësaj Prokurorie ka shprehur vendosmërinë se nuk do të heqin dorë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Njëherit shprehim konsideratë për gatishmërinë e përkushtimin e KPK-së dhe SKPK-së për të mbështetur kërkesat e punonjësve të administratës nga dita e parë e fillimit të grevës”.