Lajme

Petrit Selimi e kritikon Kurtin e VV-në për Asociacionin: I humbën 10 vite Kosovës

11/08/2023 12:01
nga:G C

Petrit Selimi, analist dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ka publikuar një shkrim relativisht të gjatë në X në lidhje me Asociacionin dhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti. Duke komentuar qëndrimet e Kurtit, Selimi ka shkruar se kryeministri nuk po e thotë të vërtetën kur po flet për çështjen e Asociacionit.

Selimi ka shkruar se asnjë qeveri paraprake nuk ka hartuar ndonjë draft-statut për Asociacionin, por vetëm dokumente legale që definonin kompetencat. Tutje, ish-zëvendësministri e kritikoi edhe insistimin e Kurtit për të nënshkruar marrëveshjen.

“Këmbëngulja për të nënshkruar një marrëveshje për një statut me Serbinë nuk është e zgjuar. Ky është dokument i brendshëm dhe çështje e brendshme për Kosovën. Mos e bëni Serbinë një palë të interesit ligjërisht për çështjet që lidhen me statutin e ASMM. Përqendrohuni në rregullimin e marrëdhënieve dypalëshe të prishura me aleatët tanë kryesorë perëndimor.” – shkroi ai.

Në shkrimin e tij, Selimi ka kritikuar VV-në, duke shkruar se i ka humbur Kosovës dhjetë vite.

“VV-ja e humbi Kosovën 10 vite pasi nuk ka marrë as marrëveshje më të mirë e as më të keqe se ajo që ishte në tryezë një dekadë më parë. Vetëm gjeopolitika është më e ashpër tani dhe Kosova humbi mundësi, kohë, burime, gjak në rrugë. Duke u thënë kështu, jam pesimist se kjo marrëveshje do të realizohet.” – vazhdon kritika e Selimit.

​Sipas Selimit, Asociacioni nuk ishte zbulim i qeverive të kaluara, por një obligim i përmendur së pari në raportin e Kai Aides, i dërguar i OKB-së që shkroi raportin për plotësimin e standardeve para statusit.

“Asociacioni nuk ishte shpikje e qeverive të mëparshme. Është një mjet i përmendur në raportin e OKB-së të Kai Eide 2005, plani i Ahtisaarit 2007 dhe është një instrument ligjor. Statuti i ASMM-së do të ndjekë këshillat e vjetra të BE-së/SHBA-së për mungesën e degës ekzekutive, vlerësimin e garantuar të kushtetutës nga Kosova, etj.” – vazhdoi ai.

Në fund, Selimi ka edhe një prognozë interesante. Sipas tij, marrëveshja ndoshta nuk do të realizohet.

“Marrëveshja ndoshta nuk do të realizohet sepse Vuçiq po bën gjithçka (për fat të keq, me sukses) për ta futur Kosovën në status quo, dhe kjo qeveri e Kosovës nuk është serioze, ka pak besim me aleatët dhe ka keqmenaxhuar shtrirjen dhe dialogun diplomatik.” – përfundon Selimi.