Ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petriç, e konsideron të besueshme kthesën e mundshme të Serbisë në politikën e saj ndaj Kosovës dhe thotë se tani i takon Kosovës të përmbushë obligimet e saj.
“Po përgatitet një hap që është shumë i vështirë për palën serbe”, shpjegoi Petrich në një deklaratë për agjencinë APA, përcjellë GazetaBlic.
Ai theksoi se presidentit serb Aleksandar Vuçiq e ka të qartë se duhet të veprojë dhe në të njëjtën kohë është rritur presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij është gjithashtu në lëvizje.
Petriç është optimist se me planin e ri gjermano-francez është arritur një pikë nga e cila mund të lëvizët përpara.
“Edhe një herë u dëshmua se përparimi është i mundur vetëm kur evropianët dhe amerikanët tërhiqen në të njëjtën anë të litarit,” shtoi Petriç.
Presionet ndaj të dyja palëve janë të mëdha, vlerëson ai dhe thekson se Serbia duhet të fillojë negociatat për planin gjermano-francez, e në anën tjetër Kosova të zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe.
“Nëse fillon puna për themelimin e tij, do të ishte një përparim i madh, përparim i cili nuk është regjistruar në rajon për shumë vite,” vlerësoi Petriç.
Ai supozon se deklarata e fundit e Vuçiqit se ai mund ta pranonte propozimin është e besueshme, pasi tani shumë varet prej tij.
Tani, shton ai, Kosova është në lëvizje dhe duhet të kryejë detyrat e saj, duke themeluar Asociacionin, themelimi i së cilit deri më tani ishte refuzuar nga qeveria e Albin Kurtit.
Ai gjithashtu vlerëson se nuk mund të pritet që Kosova të pranohet shpejt në OKB, sepse Rusia nuk do të pajtohet me këtë në të ardhmen e parashikueshme.
Rusia, beson ai, ka probleme të tjera, por shton se Serbia nuk do të ndahet plotësisht nga Rusia derisa të zgjidhet çështja e Kosovës, si për shkak të varësisë nga gazi, ashtu edhe për shkak të mbështetjes politike të Moskës për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Ai tha, sa i përket BE-së, se dobësia e saj është se pesë anëtarë nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Si mund t’i kërkohet Beogradit të njohë Kosovën, kur pesë anëtarë të BE-së nuk e kanë bërë këtë?” Diçka duhet të lëvizë aty”, është i bindur ai, duke shtuar se kompleksiteti i konfliktit është një lojë shahu tredimensionale.


