Lajme

Petkoviq: Vuçiq dhe Beogradi nuk kërcënojnë askënd, Kurtit i pëlqen të fotografojë uniformat dhe bazat

03/20/2024 14:44
nga:G B

Drejtori i zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka dhënë një deklaratë në të cilën thotë se Beogradi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk kërcënojnë askënd.

”Beogradi dhe presidenti Aleksandar Vuçiq nuk kërcënojnë askënd, as nuk i tundin armët, por ndryshe nga Prishtina janë shtyllë e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Sipas tij, ”edhe ata shumë më të fortë dhe më të fuqishëm se Albin Kurti nuk mund ta ndalojnë Beogradin që të kujdeset gjithmonë për njerëzit e tij, pavarësisht se ku jetojnë”, derisa thotë të pavërteta se ndaj popullit serb në Kosovë po ushtrohet dhunë.

”Nëse Kurtit i pëlqen të fotografojë uniformat, bazat dhe postblloqet, le të bëjë një ekspozitë me foto të dhunës që ushtron aparati i tij shovinist ndaj popullit serb në Kosovë, le të ndajë me të huajt foto të Azem Kurtajt që gjuan serbët fëmijë ose video të ekstremistëve të Prishtinës që rrahin popullin serb dhe hapin zjarr mbi civilët në postbllokun ilegal në urën e Bistricës, dhe ai gjithashtu mund të shpërndante foto të ekstremistëve shqiptarë që hedhin bomba dhe gjuanin snajperë ndaj serbëve duarzbathur dhe anëtarëve të KFOR-it gjatë masakrës së marsit 2004”, tha Petkoviq.

Siç thotë ai, Kurti mund të shfaq edhe video të ministrave të tij duke hedhur gaz lotsjellës, duke përmbysur vetura të EULEX-it dhe keqbërje të tjera.

”Është një pasqyrë e vërtetë e shoqërisë ‘në kohën e tij të paqes’, në të cilën ai ushtron dhunë ndaj popullit serb duarzbathur çdo ditë”, përfundon Petkoviq pretendimet e tij të paqena.