Lajme

Petkoviq: “Stano flet diçka që nuk di dhe është i njëanshëm”

07/01/2022 12:25
nga:Astrit Gashi

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, nuk vonoi ta kundërshtojë deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili ka shprehur qëndrimin zyrtar të BE-së se Kosova ka të drejtë të heqë targat KM, duke thënë se “është krejtësisht e pabesueshme që Stano e ka thënë këtë” dhe “këtë e ka bërë pa lexuar marrëveshjet”!!!

“Është krejtësisht e pabesueshme që Stano ka vendosur që Prishtina të ketë të drejtë t’i heqë targat e lëshuara nga Serbia dhe këtë e ka bërë pa lexuar marrëveshjet. Kjo është absolutisht e pasaktë dhe së paku hipokrite. BE-ja si ndërmjetësuese në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të dijë se cila është përmbajtja e të gjitha marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Petkoviq në TV Pink.

Stano, siç thotë Petkoviq, “i shikon gjërat njëanshëm, lexon dhe nxjerr nga marrëveshja vetëm atë çfarë i përgjigjet atij”.

“Prandaj ai thotë se në bazë të marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016, Kosova ka të drejtë të heqë targat, por kjo nuk është e vërtetë. Në marrëveshjet e dakorduara thuhet se të gjitha targat në Kosovë do të ri-regjistrohen, në mënyrë që njerëzit të mund të zgjedhin mes targave të Kosovës dhe targave KS “që janë neutrale ndaj statusit”, ka thënë Petkoviq.