Drejtori i zyrës serbe të ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, të ashtuquajtur “zyre e qeverisë serbe për Kosovën”, Petar Petkoviq, në vazhdën e propagandës së tij, sot i është ankuar të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Anzej Franges, duke thënë se “me dhunën politike dhe institucionale që pushteti në Prishtinë, i udhëhequr nga Albin Kurti, po ushtron ndaj popullit serb”.
Ai ka vazhduar se “serbët në Kosovë dhe përfaqësuesit e tyre politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime janë vazhdimisht në shënjestër të Prishtinës dhe se atyre po u mohohen të drejtat themelore politike dhe njerëzore”, transmeton Paparaci.
“Këtë e dëshmon edhe vendimi i fundit i të ashtuquajturit Komision Qendror të Zgjedhjeve që të mos i njohë rezultatet e Listës Serbe dhe kështu të kontestojë vullnetin e gati 43.000 serbëve që kanë votuar për përfaqësuesit e tyre, gjë që është e papranueshme. Nga ana tjetër, Kurti dëshiron t’u imponojë serbëve përfaqësues të rremë për të cilët ata nuk kanë votuar dhe që punojnë për interesat e Prishtinës. Kjo vetëm tregon se Kurti është i gatshëm të shkelë edhe rregulloret e veta, vetëm për t’i shkaktuar dëm popullit serb”, ka pretenduar Petkoviq.
Ai në këtë propagandë gjithashtu ka thënë se “synimi Prishtinës që me Ligjin për të huajt dhe automjetet të krijojë kushte të pamundura për jetesën e popullit serb, të uzurpojë në mënyrë të kundërligjshme institucionet serbe shëndetësore dhe arsimore që janë shtylla e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe, në vend të respektimit të marrëveshjeve të arritura, t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre”.
Si zakonisht, në kumtesën e kësaj zyre nuk përmendet sa çfarë ka thënë i dërguari special për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë.


