Lajme

Petkoviq: “Prishtina të përmbahet nga spekulimet e papërgjegjshme për ngjarjet në Zubin Potok”

04/15/2022 17:04
nga:Astrit Gashi

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, u bëri thirrje të gjithë aktorëve në Prishtinë që të përmbahen, për siç tha, “nga spekulimet e papërgjegjshme dhe jo të besueshme për ngjarjet në Zubin Potok, sepse ato mund të rrezikojnë stabilitetin në terren dhe theksoi se Beogradi zyrtar është i përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë”.

Ai ka shkruar këtë në Twitter, duke reaguar ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve të Prishtinës, se Serbia është fajtore për sulmet ndaj policëve në veri të Kosovës dhe se në këtë mënyrë po tenton ta destabilizojë Kosovën.

Ai theksoi se “sulmet e orkestruara ndaj serbëve dhe Beogradit zyrtar para përfundimit të hetimeve po e vënë në dyshim motivin e këtyre ngjarjeve”.
“Beogradi zyrtar është i vendosur në mënyrë të palëkundur për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, sepse serbët nga Kosova e dinë më së miri vlerën e paqes”, tha Petkoviq.