Lajme

Petkoviq pas shkarkimit të Gjuriqit: Do të takohemi me serbët, do marrim disa vendime

11/03/2022 16:58
nga:G C

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar për suspendimin e drejtorit të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Siç ka thënë ai, Albin Kurti e ka marrë vendimin për shkarkimin e drejtorit të drejtorisë veriore vetëm për shkak se ka dalë në mbrojtje të popullit serb në veri të Kosovës.

“Arsyeja pse e kanë shkarkuar Gjuriqin është se ai dje doli në mbrojtje të bashkëkombësve të tij serbë të cilët morën vendim me kryetarët të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe dhe Listës Serbe që të mos i shqiptohet asnjë gjobë ndëshkuese drejtuesve të automjeteve me KM. Nuk ka asgjë më të natyrshme se ato vendime të Gjuriqit sepse pikërisht ajo që tha në konferencën për shtyp është e vërteta dhe ai donte të ruante kompetencat e drejtorisë së tij rajonale. Por, nga ana tjetër të ruante rendin e marrëveshjes së Brukselit, sidomos kur bëhet fjalë për policinë. Për veprën penale të sabotimit akuzohet edhe Nenad Gjuriq”, ka thënë Petkoviq.

Sipas Petkoviqit, Kurti po e shkel çdo marrëveshje të Brukselit.

“Ideja e Kurtit është që me këtë vendim të shkelim gjithçka për të cilën kemi rënë dakord në Bruksel. Këtë ia kemi përcjellë Miroslav Lajçakut. Unë thashë se jemi në fillim të shpërbërjes së Marrëveshjes së Brukselit. Ajo që bëri Kurti shkeli gjithçka që ishte dakorduar në Bruksel. Kurti nuk ka të drejtë të zëvendësojë drejtorin sepse ai është i zgjedhur nga populli serb në Kosovë. Ai është propozuar nga katër kryetarë komunash nga veriu i Kosovës”, tha Petkoviq në një konferencë për media.

“E kanë bërë pa pëlqim dhe njoftim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Veri. Çfarë ka gabuar Gjuriq kur tha se pa dijeninë e drejtorisë rajonale në veri po ndërtohen ilegalisht katër baza. Në Zonën e Sigurisë Tokësore ku është përgjegjës KFOR-i dhe ku autoriteti i drejtorisë veriore është sipas marrëveshjes”, tha Petkoviq.

Ai tha se në orët e ardhshme do ketë takim me përfaqësues të Listës Serbe, dhe së në lidhje me situatën e krijuar do ketë një vendim nga serbët.

“Jemi në kontakt me njerëzit tanë dhe përfaqësuesit e Listës Serbe. Sigurisht që në orët dhe ditët në vijim do të konsultohemi me “mendje të ftohtë”, por edhe do të marrim vendime në interes të popullit serb. Është e papranueshme që kur fajin e ka Kosova, Brukseli thotë: të dyja palët janë përgjegjëse”, tha Petkoviq.