Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe , Petar Petkoviq, tha sot se politika e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shtylla e të cilit është mbrojtja e interesave kombëtare serbe në Kosovë, ka fituar legjitimitet të çeliktë dhe mbështetje të plotë nga qytetarët serbë në zgjedhjet e fundit, prandaj Albin Kurti po shfaq nervozizëm serioz.
Në deklaratë, Petkoviq po ashtu ka vlerësuar se kjo ishte “arsyeja kryesore e sulmeve dhe gënjeshtrave të sinkronizuara që politikanët shqiptarë në Kosovë i bëjnë bashkërisht që nga e diela në kurriz të Beogradit zyrtar dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.
“Ashtu si Kurti sheh disa kërcënime ushtarake nga Serbia, dhe në fakt Kurti është ai që kërcënon gjatë gjithë kohës, Vjosa Osmani sheh tre zgjidhje që gjoja i ka ofruar Kosova për të mbajtur zgjedhje në territorin e saj”, tha Petkoviq.


