Lajme

Petkoviq: Kosova s’do zgjidhje për dinarin

03/25/2024 17:59
nga:G B

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit me kryengociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, ka akuzuar palën kosovare se nuk është e gatshme për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

“Kemi pasur bisedime të drejtpërdrejta me palën prishtinase, kemi paraqitur propozimin tonë. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë”, tha ai para gazetarëve.

“Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Unë jam i shqetësuar për pozitën dhe ardhmërinë e popullit serb në Kosovë dhe kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, nënvizoi ai.

Megjithatë, Petkoviq theksoi se Serbia do të vazhdojë të negociojë për të ruajtur paqen dhe popullin serb në Kosovë të cilit sipas tij “po i shkelen të drejtat e njeriut”.

“Këto propozime i kemi diskutuar për më shumë se tre orë e gjysmë në bisedime të drejtpërdrejta me Prishtinën. Më pas ka pasur bisedime në nivel të takimeve dypalëshe me BE-në dhe marrëveshja është që të vazhdojmë bisedimet më 4 prill në Bruksel”, shtoi ai.

Ai potencoi se pala tjetër “nuk dëshiron kompromis” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vazhdojë “të persekutojë popullin serb”.

“Sidoqoftë, ne jemi të përkushtuar për dialog dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur një zgjidhje me ekspertët tanë të mundohemi që të mundësojmë vazhdimin e punës së Bankës së Kursimeve Postare të Serbisë në Kosovë dhe që njerëzit tanë të mund të marrin pagat dhe pensionet nga Serbia. Ky është thelbi i propozimit tonë”, nënvizoi Petkoviq.