Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq është takuar me ambasadorin e Federatës Ruse në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, të cilit i ka raportuar mbi “situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë” dhe për rrjedhën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë bisedë Petkoviq ka pretenduar se “ka një fushatë të përditshme presioni dhe represioni kundër popullit serb”, dhe “përpjekjet e hapura të Prishtinës për të rrezikuar dhe shfuqizuar të gjitha të drejtat politike dhe civile të serbëve të Kosovës”, duke shtuar se “vendimi i fundit i Prishtinës për ndalimin e zgjedhjeve të Serbisë në “territorin e krahinës”, i cili ishte në kundërshtim me qëndrimin e qartë të vendeve të Kuintit, rrezikoi edhe më tej të drejtat themelore politike dhe demokratike të serbëve të Kosovës”.
Ai po ashtu ka pretenduar se “duke refuzuar përmbushjen e marrëveshjeve të arritura deri më tani, Prishtina vështirëson vazhdimin e dialogut dhe vë në pikëpyetje progresin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.
Petkoviq gjithashtu ka pretenduar se “ka shkelje të marrëveshjeve në fushat e energjisë dhe drejtësisë, mosbashkëpunim për çështjen e personave të zhdukur dhe mosrespektim të dispozitave në fushën e lirisë së lëvizjes dhe të vizitave e zyrtarëve” në, siç ka thënë ai, “krahinën e tyre”.
“Ju kujtoj edhe një herë se Beogradi i ka përmbushur të gjitha obligimet e marra deri më tani nga Marrëveshja e Brukselit dhe se do të vazhdojë të insistojë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, veçanërisht për themelimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë ai.
Duke falënderuar ambasadorin rus për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, Petkoviq, në fund të raportimit përfundoi se Beogradi “mbetet i përkushtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Prishtinën në mënyrë paqësore dhe krijimin e kushteve për siguri dhe jetë të begatë në Kosovë”.


