Lajme

Petkoviq i ankohet ambasadores kineze për tabelat e veturave

2 vite më parë
nga:Astrit Gashi

Drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka biseduar sot me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Chen Bo, për ecurinë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe situatës aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, veçanërisht në dritën e lëvizjeve siç i ka quajtur ai “të njëanshme dhe të paligjshme të Prishtinës në lidhje me tabelat dhe kartat e identifikimit të Serbisë, të cilat shembin drejtpërdrejt dialogun dhe kërcënojnë të destabilizojnë situatën në terren”.

Ai theksoi se “përkundër krizave që Prishtina prodhon çdo ditë, Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut, si dhe se bisedimet janë barriera më efektive për përshkallëzimin e tensioneve ndëretnike dhe garanci e sigurisë të popullit serb”.

Petkoviq theksoi se “porositë dhe veprimet ditore politike të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës konfirmojnë se pala prishtinase nuk synon të marrë pjesë sinqerisht në krijimin e kushteve për normalizimin e marrëdhënieve politike dhe ndëretnike në rajon, por t’u drejtohen lëvizjeve qëllimi kryesor i të cilave është gjenerimi i tensioneve dhe shkaktimi i destabilizimit”.