Lajme

Pesë raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit në Kosovë

01/05/2025 09:52
nga:G B

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

Në një rast të raportuar në Prishtinë, burri dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, ndërsa më pas djali ka ndërhyrë duke e sulmuar babanë për t’i dalë në ndihmë nënës.

I dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë / 04.01.2025 – 13:40. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar -bashkëshorti – kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare, ndërsa djali i saj e kishte sulmuar babanë e tij për ta mbrojtur nënë e tij. Viktima f/k, ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Në Malishevë po ashtu një person u arrestua nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes. Pas intervistimit të palëve, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

E në Pejë një grua ka raportuar se është sulmuar nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari gjendet në arrati.

Në Podujevë është arrestuar një person dhe është dërguar në mbajtje, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes.

E në Ferizaj një person është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin se i kishte shkaktuar dhunë psikike bashkëshortes. Të dyshuarit i është sekuestruar një pistoletë me gaz.

“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.