Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se ka bërë një propozimin pesë pikësh për daljen nga situata e tensionuar në veri.
Propozimin e ka bërë ndaj të shteteve të QUINT-it, ambasadorit të ShBA-së, në Kosovë, Jeff Hovenier dhe emisarëve Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell.
Këto pesë pika ishin që të ketë sundim të ligjit në katër komunat në veri, të identifikohen, ndiqen penalisht dhe gjykohen anëtarët e grupeve kriminale që sulmuan KFOR-in, policët e gazetarët; grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe më pas do të zvugëlohet prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri objekte komunale në veri; Policia e Kosovës dhe KFOR/EULEX do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë; Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinojë të gjithë aktorët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut; dhe Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar të Brukselit, ku BE-ja siguron një plan të balancuar të renditjes për zbatimin e Marrëveshjes Themelore (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 Mars) dhe Kurti e Vuçiq të takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.
Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se s’ka dilema për protagonistin e sulmeve në veri dhe veprimeve kundërligjore, por që kushtet e Kurtit do të duhej të ishin të bashkërenduara me ndërkombëtarët.
“Askush nuk ka dilema se kush është në Veri protagonistë i sulmeve dhe veprime kundërligjore. Në parim të gjitha kushtet e propozuara nga Kurti do të duhej të ishin rrjedhë logjike e veprimeve sikur ngjarjet paraprake do të ishin të bashkërenduara në mes Kosovës dhe akterëve ndërkombëtare të sigurisë”, vlerëson ai.
Sipas Arifit, vështirë se do të pranohen këto kushte, derisa SHBA dhe BE e kanë deklaruar fajtore Qeverinë.
“Megjithatë, SHBA dhe BE e kanë deklaruar fajtore Qeverinë e Kosovës për ato ngjarje dhe vështirë të besohet se këto kushte do të pranohen”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/
Pesë pikat e Kurtit të propozuara për uljen e tensioneve në veri


