Lajme

Pesë fëmijë të infektuar me COVID-19 hospitalizohen në QKUK

08/14/2021 14:17
nga:M K

Klinika e Pediatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare është duke u ballafaquar me një numër të madh të fëmijëve që po kërkojnë trajtim për shkak të viruseve të tjerë jo COVID-19. Por gjatë kësaj jave në këtë klinik janë hospitalizuar edhe pesë fëmijët të infektuar me COVID-19, ndërsa 11 të tjerë kanë kërkuar vetëm shërbim ambulator.

Rufadije Maqastena-Maxhuni, doktoreshë në Klinikën e Pediatrisë për KosovaPress, thotë se me viruset tjerë që kanë simptoma të njëjta me koronavirus trajtim ambulator brenda ditës po kërkojnë 120 fëmijë, ku prej tyre deri në 35 edhe po spitalizohen për shkak të gjendjes së tyre.

Pediatrja Maqastena-Maxhuni deklaroi se simptomat më të shpeshta të këtyre fëmijëve janë barkëqitje dhe vjellje.

“Edhe ne e kemi një fluks bukur të shtuar thuajse ditëve të fundit Klinika e Pediatrisë vazhdimisht ka mbi 100-120 e më tutje vizita brenda 24 orëve, ku diku 25 deri 35 pranime bëhen thuajse çdo ditë. Prej këtyre fëmijëve e patologjia më e shprehur është që dominon gastroenterite që nënkupton infeksione enteroviroza virale, bakteriale pastaj pasi të hospitalizohen ato merren analiza dhe dërgohen për ekzaminime qoftë virale, enteroviroza apo bakteriale varësisht se si mjeku i repartit gjegjës dhe patologjisë gjegjëse”, tha ajo.

Vetëm në 24 orët e fundit 16 fëmijë nga mosha 0-9 vjeç kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, prandaj edhe Maqastena-Maxhuni thotë se edhe në këtë klinik janë rikthyer fëmijët që po kërkojnë trajtim spitalor si pasojë e infektimit me koronavirus.

Ajo thotë se aktualisht në Klinikën Pediatrike është i shtrirë vetëm një fëmijë, derisa gjatë gjithë javës janë hospitalizuar 5 raste, ndërsa 11 fëmijë kanë kërkuar trajtim ambulator.

“Atëherë ne kemi fëmijë me COVID të konfirmuar por ata janë të vendosur në repartin gjegjës COVID. Prej tash e 1 javë që patëm rastin e parë të fëmiut me COVID pas asaj valës të përparshme që ishte një pauzë katër-pesë muajshe kur asnjë rast nuk ka qenë patëm rastin e parë dhe menjëherë e riaktivizuam repartin COVID, dhe deri tani 5 raste kanë qenë të hospitalizuar 3 prej tyre pas trajtimit që kanë marr janë lëshuar në shtëpi me këshilla që të vazhdojnë vetëizolim dhe trajtim në shtëpi gjendje stabile.

Për momentin e kemi një fëmijë në repartin COVID dhe ai është në gjendje stabile dhe nuk është me oksigjenoterapi, ndërsa dy ditë më parë në konsultim me infektologun një fëmijë një fëmijë është trajtuar edhe pse ka qenë me moshën pediatrike ai fëmijë ka qenë si adult me fizik dhe është transferuar në Klinikën Infektive për trajtim të mëtutjeshëm…Një fluks më i madh është tek rastet ambulatore gjatë sot që i nxora prej të hënës diku 11 raste kanë qenë ambulatore fëmijë të moshave pediatrike të konfirmuar me COVID pozitiv dhe kanë marr trajtimin e duhur”, theksoi ajo.

Duke marrë parasysh që është rritur kërkesa për trajtim spitalor në Klinikën e Pediatrisë, doktoresha Rufadije Maqastena-Maxhuni thotë se tashmë kapacitetet e kësaj klinike janë pothuajse të mbushura me fëmijët që janë prekur nga virus tjerë jo COVID.

“Pothuajse mbushen kapacitetet por të nesërmen mjekët gjatë vizitave mundohen maksimalisht aty ku është e mundur që fëmija të shkoj dhe trajtimit të vazhdoj në mënyrë ambulatore, apo shtëpiake atëherë me sugjerime e me udhëzime të mjekëve lirohen për t’u liruar edhe hapësira për fëmijë të tjerë. Përndryshe është pothuajse me kapacitet të mbushura”, theksoi ajo.

Edhe 1 mijë e 128 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë në 24 orët e fundit.