Lajme

Përshkallëzohen protestat në SHBA, pas vrasjes së 37-vjeçares nga agjenti amerikan, 29 të arrestuar

01/10/2026 22:40
nga:Y I

Protesta masive kundër autoriteteve të emigracionit janë mbajtur në Portland dhe në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara, në përshkallëzimin e tensioneve pasi 37-vjeçarja Renee Good u vra të mërkurën në veturën e saj nga një agjent federal i imigracionit.

Protestuesit e mbledhur në parkun Elizabeth Caruthers në Portland kërkuan që t’u jepet fund operacioneve të autoriteteve antiemigracion në qytet. Kërkesë të njëjtë shprehën edhe protestuesit në Minneapolis.

Njëzet e nëntë persona u arrestuan gjatë natës, ndërsa policia iu përgjigj protestave kundër zbatimit federal të ligjit për imigracionin në Minneapolis, tha kryebashkiaku Jacob Frey në një konferencë për shtyp të shtunën.

Shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, tha se një oficer policie u plagos gjatë përgjigjes ndaj protestës.

Tensionet lidhur me politikat amerikane kundër emigracionit u rritën pasi, veç një ditë pas vrasjes së Goodit në Minneapolis, një oficer federal kufitar i qëlloi dhe i plagosi një burrë e një grua në një automjet, e të cilët Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare i identifikoi si shtetas të Venezuelës.

Që atëherë, shpërthyen protesta në qytete, teksa të tjera janë paralajmëruar edhe për të shtunën vonë dhe të diel. Vrasja dhe plagosjet ndodhën pasi agjentë të ICE-së kanë nisur operacion kundër emigrantëve pa dokumente.