Lajme

Përse ndodhi rrahja masive në rrugën Prishtinë-Podujevë?

08/08/2021 21:19
nga:M K

Një rrahje masive ka ndodhur të shtunën në hyrje të autostradës “Ibrahim Rugova” në fshatin Trudë që lidh Podujevën dhe Prishtinën.

Një dëshmitar i tha Klan Kosovës se e gjithë situata filloi kur tri vetura me tabela suedeze u ndalën në vendngjarje për të filluar një përleshje me disa punëtorë që po pushonin në atë pjesë të rrugës.

Sipas të njëjtit, të tri automjetet u larguan nga vendi i ngjarjes pa ardhur forcat e rendit.

Ndërsa, një nga viktimat i ka thënë policisë se deri tek kjo rrahje ka ardhur pas një mosmarrëveshje në trafik.

“Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar pesë viktima meshkuj kosovarë të lënduar. Viktimave në vendin e ngjarjes ju ka ofruar ndihma mjekësore, ndërsa katër prej tyre janë dërguar në QKUK dhe mbeten për tretman mjekësor”, thanë nga policia.

Nga QKUK i konfirmuan televizionit se tre nga të lënduarit tashmë janë liruar, ndërsa vetëm njëri prej tyre është ndalur dhe po trajtohet tek Kirurgjia Vaskulare.

Klan Kosova mëson se tre nga ta vijnë nga qyteti i Klinës, e tjetri nga Malisheva.

“Në vendin e ngjarjes janë gjete dhe sekuestruar një thikë dhe një vegël pune të cilat dyshohet se ishin përdorë në rast, thuhet mes tjerash në raportin policor”.

Ndërsa, rasti vazhdon të hetohet.