Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me çështjen e Presidentit, raporton GazetaBlic.
Musliu për GazetaBlic e cilësoi deklaratën e Kurtit si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga thelbi i çështjes, duke theksuar se PDK-ja nuk ka kërkuar asnjëherë besim të verbër nga askush.
“Deklarata e Kurtit është një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga thelbi i çështjes. PDK-ja asnjëherë nuk ka kërkuar besim të verbër nga askush, por ka vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe në interes të stabilitetit institucional të vendit”.
Ajo shtoi se çështja e Presidentit kërkon përgjegjësi, transparencë dhe konsensus politik, duke kundërshtuar interpretimet e njëanshme dhe deklaratat për përfitime ditore politike.
“Çështja e Presidentit është një temë që kërkon përgjegjësi, transparencë dhe konsensus politik, e jo interpretime të njëanshme apo deklarata që synojnë përfitime ditore politike. Është e rëndësishme që Albin Kurti të kontribuoj në forcimin e institucioneve dhe jo në krijimin e narrativave që thellojnë ndasitë.
Albini duhet të jete i përgjegjëshem ndaj besimit qytetarë. Qytetarët meritojnë seriozitet dhe qartësi, jo retorikë që devijon debatin nga problemet reale me të cilat përballet vendi”, tha Musliu për GazetaBlic.


