Veprime të ulëta, të rrezikshme dhe djallëzore i ka quajtur përplasjet në mes të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, ish deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli.
“Së pari, mendoj që këto janë veprime të ulëta të njerëzve që mbajnë postet më të larta në këtë vend, janë veprime të papërgjegjshme, janë veprime djallëzore, veprime të cilat totalisht të papjekura politikisht dhe kombëtarisht dhe në planin e përgjegjësive shtetërore që mbajnë, e kanë vënë Kosovën në një lojë të interesave të tyre krejtësisht personale edhe të ndonjë grupi aty-këtu dhe e gjithë kjo sërish është çështje e pushtetit, e votave”, tha ajo në një intervistë për Gazeta Blic.
Sa i përket deklaratave së fundi të presidentes duke kritikuar Qeverinë, Tërmkolli thotë se Osmani duhet të drejtë pse s’ka ndërmarrë asgjë deri tani, në bazë të kompetencave që ajo ka si presidente.
“Ndërsa presidentja nuk është bërë vetëm nga VV pasi kanë votuar dhe deputetët e LDK-së, gjysma e deputetëve të LDK-së të asaj kohe. Nuk kanë merita politika andaj janë hedhur në këto lojëra politike, të ulëta dhe të rrezikshme sepse një presidente një paraqitje që e ka bërë në fund të mandatit të qeverisë në kohën kur është përcaktuar data e zgjedhjeve, presidentja është e para që duhet të japë llogari dhe përgjegjësi se pse nuk ka folur deri tani dhe pse nuk ka ndërmarrë hapa dhe veprime në bazë të kompetencave që ka pasur, pse sot u bë Martin Berishaj i keq e nuk ishte dje, ka vite që ai akuzohet për korrupsion, kemi korrupsion qeveritar, etj., e gjithë ambicia e tyre është për pushtet, një ambicie e sëmurë për pushtet do të thosha sepse këto nivele kaq të larta të këtij shteti ose këta përfaqësues më të lartë të një shteti të bien në këto nivele të sjelljes, edhe të përçarjes, edhe të grindjes është e pabesueshme, të ndodhë në një vend siç është pritur nga Kosova, andaj mendoj se jemi në një situatë bukur të rëndë sepse një shtet nuk është asnjëherë në situatë të rëndë kur ka një alternativë, por kur mungojnë alternativat atëherë vërtetë mund të themi që ka krizë”, shprehet ajo.
“VV duhet të shkojë në shtëpi – çka iu duhet pushteti kur e kanë dëmtuar shtetin”
Ish deputetja shton se Kosova është në krizë të thellë të lidershipit, teksa pyet se kujt dhe për çka ju duhet pushteti, kur e kanë dëmtuar e çmontuar shtetin dhe njerëzit po largohen nga Kosova.
“Kosova është në një krizë të thellë politike, të lidershipit, të ideve politike, orientimeve politike, neve na e kanë vënë në pikëpyetje edhe orientimin perëndimor, për mua është një veprim shumë shumë i rrezikshëm dhe nuk shohin asgjë tjetër në këtë vend përpos pushtetit dhe po të nisemi nga logjika, çka iu duhet dhe kujt i duhet pushteti, nëse e kemi dëmtuar shtetin, nëse po e çmontojmë atë, ku do ta çojnë atë, për kë e duan, shtuar faktin se aq shumë njerëz po dalin nga Kosova, për kë po bëhet kjo politikë, kujt i duhet një shtet pa qytetarë, dihet kujt i duhet…duhet të ndalet por kush do ta ndalë, njëherë për njëherë nuk është se ka ndonjë forcë politike të brendshme që po shihet në horizont. E për të bërë matematika, që po dështojnë dhe në matematika më të dijshmit e botës, me këtë egoizëm të sëmurë”, shton Tërmkolli.
Sipas saj, është e turpshme këto që po bëjnë dhe se VV duhet të shkojë në shtëpi.
“T’i bësh karshillëk inteligjencës së një populli është shumë e rëndë, njësoj bëri dhe presidentja, sepse vetëm të afërmit e tyre janë ata që dinë dhe në këtë popull s’paska të tjerë që dinë. E turpshme, e ulët, e papranueshme. Këta do të duhej të shkojnë në shtëpi, absolutisht. Vendit i duhen njerëz që janë të shëruar nga ky egoizëm, ka ky vend njerëz të tillë por ata janë jashtë çdo strukture politike, janë përjashtuar dhe janë spastruar të gjitha partitë politike nga të gjithë njerëzit më të aftë dhe më të dijshëm dhe krejt institucionet e Kosovës, sot i ke në sipërfaqe Udbashë, fëmijë të tyre, ke njerëz të dyshimtë në shumë aspekte dhe në shumë veprime dhe ke njerëz që nëse e sheh krimin e korrupsionin çohet e përkrah, vetëm pse është i partisë së tij bën. Ne sot e kemi sjellë situatën që Serbia të sillet si viktimë, është absurdi më i madh që ka mundur të na ndodhë ndonjëherë, ndërsa që Kosova të shihet si agresore. Neve na duhen njerëz të pjekur, njerëz që e dinë se çka është ky vend, që kanë vullnet t’i afirmojnë vlerat më të mira kombëtare, evropiane e perëndimore dhe që mund ta zhvillojnë këtë vend”, potencon ajo.
Tërmkolli shton se “aktualisht në strukturat politike janë njerëzit më të paaftë fatkeqësisht por po e them që Kosova ka potencial, ata njerëz a do të kenë shans dhe mundësi që të shpërfaqin kontributin e tyre, mbetet të shihet “./Gazeta Blic/


