“Nëse dëshiron të grindesh me fqinjët, thirri ata të kadastrit”, kështu e nis rrëfimin e tij për REL, Ismeti (pseudonim, identiteti i vërtetë është i njohur për redaksinë).
Ai për vite me rradhë nuk po arrin të zgjidhë çështjen e pronës së tij, pasi pretendon se ekziston dallim për 1 metër e 40 centimetra, nga të dhënat kadastrale të para luftës, me ato të pas luftës.
“Asnjë parcelë nuk është në rregull me kadastër të para luftës dhe atë të pas luftës, nuk janë parcelat e njëjta”, thotë ai.
“Kudo që shkon të ankohesh, secila gjykatë apo institucion e pranon ndarjen kadastrale të tanishme. Cilindo gjeometër që e thërret, ai e vendos kufirin në bazë të ndarjes së tanishme, ndërsa para luftës ndarja ka qenë në vend tjetër”, vazhdon rrëfimin Ismeti, i cili jeton në një komunë në jug të Kosovës.
Mijëra persona përballen me problemin e njëjtë në Kosovë, pasi të gjitha dokumentet origjinale të kadastrit janë marrë nga autoritetet serbe gjatë tërheqjes nga Kosova, me të përfunduar lufta në vitin 1999.
Ismeti, thotë se ka shkuar edhe në një komunë të Serbisë, aty ku gjendet regjistrat origjinal kadastralë, mirëpo drejtori i Kadastrit atje i ka thënë se, “janë të vetëdijshëm që parcela është ndryshuar, mirëpo nuk mund të bëjnë asgjë në këtë drejtim”.
Kadastri është një regjistër gjithëpërfshirës i pronave të paluajtshme dhe të drejtave pronësore mbi to.
Moszbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, më 2 shtator të vitit 2011, në kuadër të dialogut teknik të zhvilluar në Bruksel arritën marrëveshje për çështjen e regjistrave kadastralë. Qëllimi ishte që të kthehet dokumentacioni kadastral i Kosovës nga Serbia dhe të plotësohen të dhënat kadastrale të saj.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova ishte zotuar të formojë Agjencinë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimit e Pronave (AKKVP) ndërsa Serbia, përmes financimit të Bashkimit Evropian t’i skanojë dokumentet origjinale të kadastrit dhe t’ia kthejë ato Kosovës. Kthimi i tyre parashihej të bëhej përmes Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Por, të dyja vendet e kanë zvarritur këtë proces.
Të kujt janë pronat në Kosovë?
Procesi i themelimit të Agjencisë Kosovare për Krahasimin e Pronës ka zgjatur me vite të tëra, përkatësisht deri në vitin 2016. Kjo agjenci ka për qëllim t’i krahasojë dokumentet e skanuara me të dhënat e rikonstruktuara nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
LEXO EDHE:
Domosdoja për ndryshimet kushtetuese


