Lajme

Përparim Rama: Prishtina po shndërrohet në çdo anë, në qytet të mençur

09/13/2025 18:57
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kryeqyteti po shndërrohet në qytet të mençur.

Në fjalimin e hapjes së fushatës, Rama ka thënë se kjo po bëhet me shërbime e platforma online, me sensorë për matjen e ajrit e zhurmës.

“Prishtina po shndërrohet, në çdo anë, në qytet të mençur. Me shërbime e platforma online, të hapura për ndërveprim me qytetarë, me sensorë që masin ajrin e zhurmën. Me trafikun, me konsumin e energjisë. Të gjitha këto që qytetari të jetë bashkëkrijues, pjesë e pandashme e qeverisjes, zëri që formëson të ardhmen e vet, sepse artikulon nevojat, shqetësimet, idetë e propozimet”, tha Rama.

Ai më tutje tha se vetëm në këtë formë, Prishtina i përmbush të gjitha pritshmëritë.

“Krejt këto janë pashmangshëm zhvillime edhe BRENDA nesh, në vetë mendësinë tonë, e cila tashmë po sheh PËRTEJ, dhe po kupton se si dhe kah i duhet me ecë, për të lëvizë në një Prishtinë që frymon si një organizëm, i lirë, i shpenguar, i shëndetshëm, në të gjitha nënsistemet e saj, që na i plotëson nevojat, e na i përmbush pritshmëritë”, deklaroi Përparim Rama.

“Ne jemi të parët që institucionit tonë po i referohemi si Institucioni i Kryeqytetit, jo më me Komuna e Prishtinës, duke u thirrë në ligj, e në dijeninë se shërbejmë e veprojmë si istitucion jo vetëm i banorëve, por edhe i shumë jobanorëve, që me kryeqytetin ndërveprojnë, duke udhëtu nga të gjitha komunat dhe PËRTEJ”, tha ai më tutje.