Lajme

Përparim Rama me zyrtarë komunalë zhvendosen në hotelin luksoz të Pejës për “fundjavë pune”, kryetari s’e di çmimin

02/06/2022 15:54
nga:Gazeta Blic

Pak ditë pasi i emëroi edhe drejtorët e PDK-së, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë zyrtarët tjerë komunalë kanë udhëtuar drejt Pejës në një organizim të papritur të cilin po e quajnë “fundjavë pune”.

Aritekti nga Londra që e mori drejtimin e kryeqytetit, e ka konsideruar të nevojshme arratisjen nga Prishtina këtë fundjavë për të menduar “më lirshëm”. Në një nga hotelet më luksoze të Pejës u rezervuan 30 dhoma për të qëndruar dy ditë Rama me anëtarët tjerë të kabinetit qeverisës. Aty, një dhomë standarde për një natë kushton 55 euro.

Në hotelin në Pejë, Rama arsyetohet se ka shkuar për të punuar për Prishtinën.

Përveç shërbimit të mëngjesit, “Koha” raporton se në këtë hotel përfshihen edhe pishinat, xhakuzit, banja turke, sauna e salla e fitnesit, të cilat do të paguhen nga buxheti i komunës.

Përveç Pejës, sipas Ramës, s’ka pasur hotele tjera të lira për t’u vendosur ai dhe drejtorët.

“Kemi ardhur për një vikend pune. I kemi tani të gjithë drejtorët bashkë dhe kemi një vikend pune. Është një problem i madh t’i gjejmë 30 dhoma të lira, kemi problem në këtë aspekt. Mirë është kur është vikend t’i nxjerrim pak jashtë kontekstit që të mendojnë më lirshëm”, ka thënë Rama.

Çmimin e kësaj “fundjave pune” Rama nuk e di.

“Po, nuk jam i sigurt sa, por do e raportojmë ditëve në vijim”, ka thënë i pari i Prishtinës, citon “Koha”.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Berat Lahu, ka thënë se aktivitetet e tilla kanë filluar që të shfrytëzohen më shumë për relaksimin dhe argëtimin e zyrtarëve.

“Është shumë e panevojshme, e para që takimi të mbahet jashtë Komunës së Prishtinës dhe e dyta që për këtë të rezervohen edhe dhoma. Disi këto aktivitetet kanë filluar të shfrytëzohen më shumë për relaksim e argëtim të zyrtarëve, sesa si kushte të nevojshme për të kryer një punë të caktuar. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë për atë që shpenzime të tilla të bëhen në minimumin e domosdoshëm, pavarësisht a është fjala për nivelin qendror apo lokal dhe këtë qasje duhet ta ketë edhe udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Lahu.

Kundër kësaj, një qytetar i Pejës sot doli i vetëm për të protestuar.

Naser Shatri tha për Klankosova.tv se duhet të ndalohen keqpërdorimet e pushtetit lokal dhe qendror.

“Arsyeja kryesore se pse kam dal të protestojë janë zhvatjet e pushtetit lokal, nuk duhet të keqpërdoret paraja e shtetit”, tha Shatri.