Kanë kaluar thuajse dy muaj që kur Përparim Rama e Shaqir Totaj i fituan zgjedhjet në Prishtinë, gjegjësisht në Prizren, dhe ende nuk arritën t’i kompletojnë kabinetet e tyre, raporton Gazeta Blic.
Derisa Përparim Rama i LDK-së ka arritur edhe koalicion të “madh” me PDK-në, ndërkohë Totaj nuk ka arritur ta bind partinë e Abdixhikut për bashkëqeverisje në Prizren.
Gazeta Blic merr vesh se Totaj ka probleme të brendshme partiake, që individë dhe grupe të PDK-së po synojnë pozita ekzekutive.
”Disa prej tyre kanë problem me ligjin, e disa grupe kanë kërkesa të cilat Totaj nuk po i pranon”, thonë burimet e Gazeta Blic.
Pika më e ndjeshme është Drejtoria e Shërbimeve Publike.
”Totaj ende s’ka arritur pajtueshmërinë brendapartiake sidomos për Drejtorinë e Shërbimeve Publike, që konsiderohet më e rëndësishmja”, tha ky burim.
Ndërkohë, AAK dhe Nisma do t’i marrin nga tri drejtori.
Derisa në Prizren ende nuk ka emra konkret për drejtor, në Prishtinë janë lakuar disa emra.
Gazeta Blic, ka siguruar disa emra që me shumë gjasë do të marrin udhëheqje nëpër drejtori të ndryshme në Komunën e Prishtinës.
Në mesin e tyre, janë edhe figura të larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Madje edhe ish-deputetë.
Ali Hertica, Florian Dushi, Doruntinë Maloku, Izet Sadiku, Krenar Xhaferi dhe Fadil Aliu, janë emrat që LDK, është duke i diskutuar për t’i emëruar në udhëheqje të dikastereve në kuadër të Komunës së Prishtinës.
Këta emra janë negociuar mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ditëve të vijim pritet që të vendoset përfundimisht për emrat e përveçëm që do të emërohen drejtorë nga radhët e LDK-së.
Në anën tjetër, pesë drejtori në kuadër të Komunës së Prishtinës, nuk do të udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kjo pasi që, siç raportoi të mërkurën Gazeta Blic, në lidhjen e koalicionit me PDK-në, pesë drejtori dhe nënkryetari, do t’i takojnë partisë që udhëhiqet nga Memli Krasniqi.
Gjatë të mërkurës, në marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së, kryesues i Kuvendit komunal në Prishtinë, u zgjodh Fehmi Kupina nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kupina ishte asambleisti më i votuar nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e 14 nëntorit.
Gazeta Blic ju sjell disa emra që pritet të bëhen drejtorë në Komunë të Prishtinës!