Cult

Përmirësohet gjendja e Salman Ruzhdie/ Doli nga intubimi dhe është në gjendje të flasë

08/14/2022 11:06
nga:Gazeta Blic

Autori Salman Rushdie ka dalë nga intubimi dhe është në gjendje të flasë sërish, një ditë pasi u godit me thikë. 75 vjeçari Rushdie u sulmua teksa fliste në një eveniment në shtetin e Nju Jorkut dhe ishte në gjendje kritike.

Ai është përballur me vite të tëra me kërcënime me vdekje për romanin e tij Vargjet Satanike, të cilin disa muslimanë e shohin si blasfemi.
Personi i akuzuar për sulmin e së premtes është deklaruar i pafajshëm për tentativë vrasjeje dhe është lënë në paraburgim pa lirim me kusht.

Hadi Matar, 24 vjeç, akuzohet se ka dalë në skenë dhe ka goditur me thikë zotin Rushdie të paktën 10 herë në fytyrë, qafë dhe bark.

Pas sulmit, agjenti publicistik i shkrimtarit Andrew Wylie tha se romancieri kishte pësuar nerva të prera në njërin krah, dëmtim të mëlçisë dhe ka të ngjarë të humbiste një sy.

Henry Reese, i cili duhej të intervistonte zotin Rushdie gjatë evenimentit, pësoi një lëndim të lehtë në kokë.

Ai është bashkëthemelues i një organizate jofitimprurëse që ofron strehë për shkrimtarët e internuar nën kërcënimin e persekutimit.

Përpara sulmit, zoti Rushdie ishte gati të mbante një fjalim se si SHBA ka shërbyer si një parajsë për shkrimtarë të tillë.

Romancieri u detyrua të fshihej për gati 10 vjet pas botimit të Vargjeve Satanike në 1988.

Shumë muslimanë reaguan me tërbim ndaj tij, duke argumentuar se portretizimi i Profetit Muhamed ishte një fyerje e rëndë për besimin e tyre.

Ai u përball me kërcënime për vdekje dhe udhëheqësi i atëhershëm iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, nxori një fetva – ose dekret – duke bërë thirrje për vrasjen e zotit Rushdie, duke vendosur një shpërblim prej 3 milion dollarësh në kokën e autorit.