Përmbytjet masive në Mozambikun jugor dhe qendror kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 150 personave dhe kanë prekur rreth 800 mijë të tjerë, pas reshjeve të dendura dhe daljes nga shtrati të lumenjve, përfshirë Limpopon.
Autoritetet thonë se bëhet fjalë për disa nga përmbytjet më të rënda në dekada, me qindra miliona dollarë dëme në infrastrukturë, bujqësi dhe banesa. Edhe pse reshjet janë zbutur, sipërfaqe të mëdha toke mbeten ende nën ujë dhe mijëra familje janë zhvendosur në qendra emergjente, raporton “Al Jazeera”.
Në provincat Gaza dhe Maputo, shumë zona urbane dhe rurale janë izoluar, ndërsa mungesa e ushqimit, shërbimeve sanitare dhe rreziku i sëmundjeve të shkaktuara nga uji po rëndojnë situatën humanitare, veçanërisht për fëmijët.
Pavarësisht vështirësive, banorët dhe ndihma ndërkombëtare po përpiqen të përballojnë krizën. “Është shumë e dhimbshme, por duhet të rindërtojmë dhe të kthehemi në shtëpi”, thonë të prekurit nga përmbytjet.


