Lajme

Përmbytjet në Francë shkatërrojnë bizneset

10/12/2024 13:31
nga:Y I

Angelo Epigani, pronar i një picerie në periferi të Parisit tregon dëmet në biznesin e tij, i cili është shkatërruar nga stuhia Kirk që goditi Europën Perëndimore pak ditë më parë.

“Gjithçka, kuzhina, gjithçka është nën ujë për shkak të përmbytjeve dhe frigoriferi atje, gjithçka është e zhytur në ujë.”

Epigani, i cili prej 36 vitesh drejton biznesin e tij është përballur me një situatë të ngjashme edhe në kaluarën gjatë përmbytjeve të vitit 2016.

“Ajo që ndodhi në 2016 ishte më pak serioze, përmbytjet e këtij viti janë më të rënda. Është po aq e bezdisshme sa në 2016, mund të them edhe më shumë. Shpresojmë që uji të largohet shpejt dhe më pas të thajmë gjërat, sepse gjithçka është e lagur, nuk ka energji elektrike, asgjë.”

Për momentin ai nuk mund të ndërhyjë për të riparuar dëmet pasi biznesi i tij vijon ende të jetë nën pushtetin e ujit.

“Parashikohet që ujërat do të largohen totalisht nga e marta. Por edhe nëse fillon që niveli i ujit të bjerë… për sa kohë ka ujë, nuk mund të fillojmë pastrimin, kjo nuk është e mundur për momentin”.

Pronari francez me origjinë italiane pret që dëmet materiale nga stuhia të shkojnë në rreth disa mijëra euro.