Lajme

Përmbytjet lënë mbi 2,000 të vdekur e të zhdukur në Indonezi dhe Sri Lanka

12/13/2025 11:04
nga:Sh R

Përmbytjet e papara, rrëshqitjet e dheut, stuhitë dhe ciklonet kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në Azinë Jugore dhe Azinë Juglindore. Më e goditura është Indonezia, e pasuar nga Sri Lanka.

Agjencia kombëtare e menaxhimit të fatkeqësive në Indonezi njoftoi se deri më tani 995 persona kanë humbur jetën dhe 226 rezultojnë të zhdukur në ishullin Sumatra, ndërsa mbi 5 mijë të tjerë janë lënduar, teksa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, raporton AA, transmeton Klankosova.tv.

Më shumë se 3.2 milionë persona janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet shkatërruese të dheut në provincat veriore të Sumatrës, Sumatra Perëndimore dhe Aceh.

Në Sri Lanka, numri i viktimave nga cikloni Ditwah është rritur në 640, ndërsa 211 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga goditja e stuhisë më 17 nëntor, sipas Qendrës për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Përmbytjet kanë prekur gjithashtu mbi 1.6 milion persona dhe kanë shkaktuar dëme në rreth 110 mijë shtëpi, përfshirë më shumë se 5.700 të shkatërruara plotësisht.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur javën e kaluar se të paktën 185 persona kanë humbur jetën në jug të Tajlandës, ndërsa 367 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Katër viktima janë raportuar edhe në Indi dhe tre në Malajzi, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike.