Lajme

Përmbytje në Lezhë dhe Kurbin, 150 banesa të rrethuara nga uji

01/06/2026 19:55
nga:Genita C

Situata e krijuar nga moti i keq në Qarkun e Lezhës vijon të mbetet problematike. Sipas të dhënave më të fundit përgjatë 24 orëve kanë rënë rreth 150 mm shi, duke sjellë vërshime të ujerave te cilat kanë përmbytur rreth 2600 hektarë tokë bujqësore dhe rrethuar nga uji 150 banesa në Bashkitë Lezhë dhe Kurbin.

Qyteti i Lezhës u përball i pari me situatën, ku rrugët e disa lagjeve u përmbytën për shkak të prurjeve të mëdha dhe pamundësisë së kanaleve kulluese për të evaduar ujërat. Situata vijoi gjatë gjithë ditës, duke paralizuar lëvizjen e qytetareve dhe automjeteve kryesisht në blloqet e banimit “11 janari” dhe “11.2 hektarë” të lagjes “Besëlidhja”.

Probleme janë shfaqur edhe në zonat rurale, të përkeqësuara nga prurjet e lumenjve dhe përrenjve malorë. Niveli i lumit Drin u rrit ndjeshëm, duke dalë në shëtitoren pranë tij dhe duke penguar evadimin e ujërave, çka solli një efekt zinxhir me përmbytje të tokave bujqësore dhe banesa të rrethuara nga uji. Edhe lumi Gjadër rriti rrezikun e përmbytjeve në zonën e Zadrimës, ndërsa përroi i Manatisë shtoi ndjeshëm prurjet, për shkak të rrjedhës së tij të vrullshme.

“Do heqim këpucët për të shkuar te makina”, u shpreh një banor.

“E gjithë sipërfaqja e mbjellë me grurë është komplet në ujë”, tha një banor tjetër.

Situatë më problematika u paraqit gjatë pasdites në Kurbin. Dalja nga shtrati e përroit që kalon përmes qytetit të Laçit, si dhe vërshimi i përrenjve të tjerë malorë, kanë krijuar një situatë dramatike për banorët. Uji ka përmbytur rrugë kryesore, biznese dhe banesa, ndërsa janë dëmtuar edhe shumë automjete.

Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi rrugor është paralizuar në disa zona të qytetit të Laçit, si dhe në fshatrat Zhejë dhe Gjorm. Probleme serioze janë shënuar edhe në aksin nacional Milot–Mamurras, ku lëvizja e mjeteve është bërë e vështirë. Bashkia Kurbin ka kërkuar mjete të rënda, varka dhe pompa për përballimin e situatës, ndërsa emergjencat civile vijojnë monitorimin në terren.