Zgjedhjet lokale për kryetarë komunash kanë prodhuar përmbysje rezultatesh. PDK-ja ka fituar më së shumti komuna, gjithsej nëntë. Duke pasuar nga LDK-ja, e cila fitoi në kryeqytet dhe në gjashtë komuna të tjera. Pas saj AAK-ja me pesë. Derisa, partia që udhëheq Qeverinë, ka fituar në vetëm katër komuna.Me fitoren e shënuar në Kllokot, Lista Serbe ka më së shumti komuna të fituara – gjithsej dhjetë.
Nga ana tjetër, njohësit e kësaj fushe, vlerësojnë se rezultati i dobët i partisë në pushtet, e cila para disa muajsh fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet nacionale, është si pasojë e përzierjes së zgjedhjeve lokale me ato nacionale.
Profesori i marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për ‘Gazeta Blic’, se LVV-ja i ka keqkalkuluar të gjitha opsionet e mundshme në këto zgjedhje lokale.
Ai madje thotë se përzgjedhja e kandidatëve ka qenë jashtë nivelit të performancës normale të një kandidati për kryetar komune.
“Rezultati i mbrëmshëm na ka treguar disa gjëra sidomos për partinë në pushtet, sepse po mendoj që i kanë keqkalkuluar të gjitha opsionet e mundshme, e para ka të bëjë me atë që përzgjedhja e kanidatëve për kryetar të komunave ka qenë jashtë nivelit të performancës normale të një kandidati për kryetar komune, në disa komuna kanë performuar shumë keq dhe e dyta mendoj që është përzierja e zgjedhjeve lokale me ato nacionale sepse mendoj që zgjedhjet nacionale kanë çështje më të mëdha kombëtare ndërsa lokale kërkojnë zgjidhje të problemeve të jetës së pëditshme të qytetarëve”, thotë ai.
Kurse, Profesori universitar, Dorajet Imeri, deklaron për ‘Gazeta Blic’, se LVV-ja me veprimet e saj politike, ka bërë gabime të mëdha. Sipas tij, LDK dhe PDK kanë treguar një organizim më të mirë struktural.
“Vlen të përmendet se LVV-ja me veprimet e saj politike ka shënuar disa gabime që vërehen e që mund t’i kushtojë edhe në të ardhmen e saj politike, si : çasja ndaj fushatës, përzgjedhja e kandidatëve, por sidomos mosrealizimi i koalicioneve me partitë e tjera politike. Lidhja Demokratike e Kosovës sikundër edhe Partia Demokratike kanë treguar një organizim më të mirë struktural pasi ato me disa përjashtime kanë fituar pushtetin ashtu siç kanë pasur në momentët më të mira të rrugëtimeve të tyre politike”, deklaron ai.
Fitoret e partive sipas komunave:
Lista Serbe
Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Kllokot
PDK
Mitrovicë, Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit, Vushtrri, Kaçaniku, Prizren, Drenas, Dragash
LDK
Lipjan, Pejë, Istog, Viti, Junik, Fushë-Kosova, Prishtinë,
AAK
Deçan, Suharekë, Gjakovë, Klinë, Rahovec
VV
Kamenicë, Shtime, Gjilan, Podujevë
Nisma
Malishevë
KDTP
Mamushë
Xhafer Gashi
Obiliq
Procesi i zhvilluar të dielën në 21 komuna kaloi pa incidente të mëdha.
/Gazeta Blic


