Lajme

Përkeqësohet moti në Gjirin e Vlorës, paralajmërim për mjetet lundruese

08/20/2025 17:33
nga:Y I

Të gjitha mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës janë ndaluar të nisen në det të hapur duke filluar nga ora 10:30 datë 21.08.2025.

Ky vendim është marrë në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në Gjirin e Vlorës dhe jashtë.

“Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës dhe Himarës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese. .Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 22.08.2025”, bëhet me dije në njoftim.