Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur përjashtimin me 10 ditë të 18 deputetëve të PD-së nga seancat plenare dhe me 20 ditë të deputetit Ervin Salianji.
Partia Socialiste ka kërkuar më herët përjashtimin e 19 deputetëve të PD-së të cilët bllokuan punimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, shkruan euronews.al.
Në shkresën drejtuar Sekretariatit të Etikës thuhej se ligjvënësit e opozitës bllokuan foltoren, shkaktuan kaos në sallë me anë të pajisjeve zhurmuese duke cenuar dhe penguar zhvillimin e rregullt të seancës.
Gjithashtu ata bllokuan dhe punimet e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore i planifikuar për t’u mbajtur fizikisht ditën e premte, duke i detyruar anëtarët e komisionit të vijonin punimet online.