Lajme

Përjashtimi i Majecit/ Kelmendi: A ka pasur njohuri dikush në VV pasi nuk e priti sqarimin e tij – pse nuk u veprua njësoj edhe me Nagip Krasniqin?

08/15/2023 22:34
nga:G B

Gazetari Adriatik Kelmendi, ka bërë disa pyetje lidhur me rastin e përjashtimit të asambleistit Besnik Majeci nga VV, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka pyetur nëse VV i ka hyrë në hak atij duke e përjashtuar, pa pritur nga ai sqarim apo që gjykata ta shpall fajtor.

Kelmendi po ashtu ka thënë se pasi nuk u pritën sqarime, a ka gjasa që dikush paska pasur njohuri për aktivitetin e paligjshëm të Majecit qysh më herët dhe për këtë arsye nuk kanë pritur shfajësimin eventual të tij?

Po ashtu, ai ka pyetur se pse VV nuk ka reaguar në të njëjtën mënyrë për Nagip Krasniqin, sikur për Majecin.

Kelmendi ka pyetur edhe nëse është hap i drejtë që të bëhet testi i përdorimit të narkotikëve për të gjithë qeveritarët dhe këshilltarët e tyre, të gjithë kryetarët, drejtorët dhe asambleistët komunalë, të gjithë deputetët?

Postimi i tij i plotë:

Disa pyetje serioze:

E çka nëse Lëvizja “Vetëvendosje!” i ka hyrë në hak asambleistit Majeci duke e përjashtuar vetëm disa orë pasi që ai u arrestua në Shqipëri për trafik narkotikësh?

A nuk duhet të presupozohet se mbase Majeci është arrestuar gabimisht dhe të pritej të sqarohej?

Pasi që nuk u pritën sqarimet, a ka gjasa që dikush paska pasur njohuri për aktivitetin e paligjshëm të Majecit qysh më herët dhe për këtë arsye nuk kanë pritur shfajësimin eventual të tij?

A duhet parë si të dyshimtë edhe të gjithë asambleistët që Majecit ia dhanë votat për t’u bërë aksionar i Stacionit të Autobusëve, meqë po thuhet se droga është bartur me autobusë?

Pse t’u besohet asambleistëve që e votuan Majecin, kurse Majecit jo?

Pse nuk u veprua menjëherë me përjashtim nga partia edhe me Nagip Krasniqin, i cili është arrestuar me dyshime për korrupsion?

Pse symbylltazi t’i besohet Policisë së Shqipërisë për Majecin, por të mos i besohet Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës për Krasniqin?

Çka nëse, me prezumimin e pafajësisë, nesër Majeci del i pafajshëm dhe Krasniqi fajtor, ose edhe i pafajshëm njësoj, pasi që ky i dyti u kursye nga përjashtimi nga partia?

A besoni se është hap i drejtë që të bëhet testi i përdorimit të narkotikëve për të gjithë qeveritarët dhe këshilltarët e tyre, të gjithë kryetarët, drejtorët dhe asambleistët komunalë, të gjithë deputetët?

Rubikon është në pushim deri në shtator, se përndryshe këto dhe pyetje të tjera, besoj legjitime, do t’i shtroja aty.