Lajme

Periskopi: Si e kontrabandoi Qeveria Kurti si investitor strategjik Kosmonte Foods’in

05/06/2024 14:25
nga:G C

Vetëm një kompani në Kosovë, “Kosmonte Foods”, është shpallur investitor strategjik nga Kuvendi i Kosovës deri më tani. Kosmonte mori këtë status me ardhjen e qeverisë së re të Kosovës, Qeverisë Kurti II. Qeveria, më saktësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e udhëhequr nga Rozeta Hajdari e priveligjoi këtë kompani duke i dhënë tokë, pronë e shtetit, për 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet. Por, shkelje e kushteve të kontratës, tentim për këmbim prone në mënyrë të kundërligjshme, padi nëpër gjykata, hetime në polici e të tjera, e karakterizojnë kronologjinë e “Investitorit Strategjik të Qeverisë Kurti”.

Në formë të detajuar, Periskopi ka bërë një hulumtim – duke siguruar dokumente që datojnë nga viti 2010 e deri te nënshkrimi i kontratës nga ministrja Rozeta Hajdari.

Si filloi e gjitha – Kompania “Kosmonte Foods” kërkon tokë me qera nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK)

Kompania “Kosmonte Foods”, kishte aplikuar në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës (agjenci në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural) për marrjen e një toke pyjore në shfrytëzim të përkohshëm, e ku Komisioni për shqyrtimin e kërkesave kishte konstatuar në vendin e ngjarjes se Kompania i përmbush kriteret. Të njëjtit rekomandojnë Kryeshefin Ekzekutiv, Muzafer Luma, për aprovimin e kësaj kërkese.

Më datë 20.01.2010, Luma kishte aprovuar kërkesën sipas rekomandimit dhe kishte nënshkruar kontraten, pёr shfrytëzimin e pёrkohshёm tё tokёs pyjore me qira për 5 vite pёr ngritjen e objektit montazh, frigorifer (me objekte dhe ambient pёrcjellёs) pёr ruajtjen dhe kujdesin e pёrkohshёm tё gjёrave ushqimore me shumicё, tё ngast.kad.nr. 22-3 nё sipërfaqe prej: 04.35.38 ha (43,538 m²).

Më datë 20.11.2013 kishte bërë kërkes me shkrim që ti lejohet marrja në shfrytëzim të perkohshëm të tokës pyjore për mbjelljen e kulturave bujqësore në siperfaqe prej 4,18.06 ha.

Më datë 20.11.2013, Komisioni profesional i APK-së, kishin shqyrtu kërkesen në vendin e ngjajes ku kishin konstatuar se “Kosomonte Foods” i plotëson kushtet ligjore dhe përmes rekomandimit kishte kërkuar nga Kryeshefi në APK aprovimin e kërkesës.

Më datë 13.12.2013 në bazë të rekomandimit të komisionit jepet Pëlqimi dhe lidhet kontrata për shfrytëzimin e përkohshëm të tokës pyjore për 5 vite me çmim 50 euro për/ha.

Në vitin 2015, kompanisë do t’i mbaronte kontrata, por kërkon vazhdimin e saj
Më datë 20.01.2015, Kompania “Kosmonte Foods” SH.P.K, përfaqësuar nga Lulzim Begaj, paraqiti sërish kёrkesё për vazhdimin e kontratёs së njëjtë, atë të datës 20.01.2010. Komisioni i Agjencionit të Pyjeve i rekomandoi kryeshefit të APK-sё të aprovoj kërkesën për vazhdimin e kontratës së njëjtë. Kështu, me datë 17.06.2015 jepet pëlqimi për shfrytëzimin e përkohshëm të tokës pyjore për 5 vite të tjera, me kushte të njëjta si ajo e 2010’es.

Kompania Kosmonte Foods bën shkeljen e parë të kontratës
Më datë 24.08.2017 – Drejtoria Koordinuese Rajonale e APK-së në Prishtinë e cila është e obliguar ta bëjë monitorimin e zbatimin e kontratave kishte dal në teren dhe kishte bërë verifikimin e ngastrave të cilat ishin dhënë në shfrytëzim të përkohshëm NTT’Kosomonte Foods” . Drehtoria kishte konstatuar se në ngastren 22-03 janë duke u ndërtuar dy objekte me material të fortë, njëri me sipërfaqe 0.74,21 /ha dhe tjetri në sipërfaqe prej 2.070 /ha kurse ngastra 25 – 0 nuk është ende duke u shfrytëzuar edhe pas dy viteve nga nënshkrimi i dytë kontratës.

Për shkak të këtyre shkeljeve të kontratës, DKR merr një vendim me të cilin Kosmontes urdhërohet për ndërprerjen e përkohshme të punimeve deri në sqarimin e kushteve sipas kontratës.

Më datë 31.10.2017, Drejtoria Koordinuese e Prishtinës e lajmëron rastin (me nr.220/2017) në APK dhe në përgjigjen e Drejtorisë Ligjore në APK më datë 10.11.2017 është kërkuar që Drejtoria Koordinuese e Prishtinës t’i ushtroj të gjitha përgjegjësit, kompetencat dhe obligimet ligjore në marrjen e masava nga konstatimet e parregullsive eventuale të cilat janë në punën e këtij operatori duke përfshirë edhe kushtet e kontratës.

Pas kësaj, Inspektorati i pyjeve me datë 13.03.2019, kishte nxjerrë vendim ku kishte kërkuar nga DKR marrjen e masave ligjore për moszbatim të kushteve të kontratës nga kompania.

Më datë 21.03.2019 bëhet padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës për shkak të shkeljeve të kushteve (dok.)

Në këto kohë sa ende ka qenë duke u shqyrtuar për masat që do merren ndaj kompanisë, “Kosmonte Foods” vepron ‘pas shpines’ së APK-së, duke tentuar që përmes Komunës së Fushë Kosovës dhe ish-ministrit Nenad Rikalo të bëjë ndërrimin e pronës.

“Kosmonte Foods”, Komuna e Fushë Kosovës dhe ministri Rikallo në ballafaqim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës (APK) për këmbimin e pronës rreth 20 milionëshe
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, më datë 17.08.2018 me kërkesë të “Kosmonte Foods”, i propozon Kuvendit të Komunës që të aprovojë kërkesën për dhënien e pëlqimit për ndërrimin e pronave që i përkisnin MBPZHR-së e që i kishte me qera në shfrytëzim nga APK-ja.

Më datë 26.09.2018, Kuvendi Komunal i Fushe Kosoves jep pëlqimin me nr.137 për subjektin afarist “Kosmonte Foods’ per realizimin e procedurave për ndërrimin e destimin e pronës së kërkuar. Pëlqimi ishte nënshkruar nga kryesuesja e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës dhe më datë 08.10.2018, dhe u përcjell në MAPL për vlersim te ligjshmërise.

Më 09.10.2018, MAPL ka pranuar ‘Pëlqimin’ e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës për “Kosmonte Foods” që i mundëson realizimin e e ndërrimit të pronës, e të cilën e ka përcjell në Ministrinë e Bujqësisë (MBPZHR) si organ kompetent për shqyrtimin e aktit Administrativ të Komunës së Fushë KosovëS të datës 09.10.2018.

Pas disa javësh MBPZHR i Përgjigjet MAPL në kërkesën e tyre për vlerësimin e ligjshmërisë së aktit të komunës për Kosmonte Foods, duke konstatuar se akti i komunës së Fushë Kosovës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe si i tillë nuk mund të prodhojë efekte juridike.

Në po të njëjtën ditë, më 05.11.2018, ish-ministri Nenad Rikalo, kishte lëshuar një urdhëresë për Zyrën Ligjore dhe APK-në, “nën detyrimin e MBPZHR-së si në vijim:

Kontrollimi i përmbushjes së kërkesave ligjore për shkëmbimin e pronës së paluajtshme të kërkuar nga kompania Kosmonte Foods;
Identifimi dhe verifikimi i pronës për shkëmbimin e identifikuar. Se në parcela nuk ka objekte dhe ne nuk kemi në plan të ndërtojmë në këto vende”.

Burime të Periskopit kanë treguar se Kosmonte kishte provuar që ta bënte këmbimin e pronës edhe përmes ish-minstrit Nenad Rikalo. Periskopi mëson se ministri i kishte ftuar dy zyrtarë të lartë të ministrisë te cilëve iu kishte kërkuar që të merret parasysh kërkesa e kompanisë për ndërrimin e pronës. Megjithatë, të njejtit nuk i ishin bindur minsitrit Rikalo, duke e ia bërë të ditur që ekziston një vendim për ndalimin e përkohshem të ndërrimit të pasurisë së paluajtshme të ministrisë – Agjencise Pyjeve te Kosoves.

Ndaj këtij mesazhi, i cili duket edhe si kërcënues, APK i është përgjigjur ish-ministrit Rikalo në këtë formë:

Pas kësaj, më datë 20.11.2018 Drejtoria Qendrore e Inspektoriatit të Pylltarisë dhe Gjuetisë (DQIPGJ) merr vendim me të cilin e obligon KK Fushë Kosovë të bëjë revokimin e Pelqimit për ndërrimin e pronës sipas kërkesës kompanisë “Kosmonte Foods’’.

Pas kësaj, me datë 30.11.2018 kryetari i komunes së Fushë Kosovës, Burim Berisha, paraqet ankes ne APK ku kërkon anulimin e vendimit te Inspektoratit per revokimin e Pëlqimit për procedurat e ndërrimit të pronës së APK-së.

Më datë 07.12.2018, APK i përgjigjet ankesës së kryetarit të Fushë Kosovës, Burim Berisha, duke e nxjerrë të pabazuar ankesën dhe duke mbetur kështu në fuqi vendimi i DQIPGJ.

Pas gjithë kësaj, më datë 21.02.2019, DQIPGJ inicon procedur gjyqesore për mos zbatim të vendimit të inspektoratit për revokim të Pëlqimit për ndërrimin e pronës së APK-së

Përveç që ka inciuar procedure gjyqësore ndaj Komunës së Fushe Kosovës dhe kryesueses së Kuvendit për moszbatim të vendimit për revokimin e pëlqimit, e njejta ka kërkuar fillimin e procedurave të hetimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policise së Kosoves, më date 19.04.2019.

Kompania “Kosmonte Foods” bën përpjekjen e dytë për vazhdimin e kontratës me APK-në

Gjatë kohës, kur kompania sheh që nuk po ka sukses me ndërrimin e pronave përmes Komunës së Fushë Kosovës, e njëjta tenton sërish për vazhdimin e kontratës me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.

Më datë 10.12.2018 kompania “Kosmonte Foods” ka parashtru kërkesë në APK për vazhdimin e kontrateës, për marrjen në shfrytëzim të përkohshëm të tokës pyjore në sipërfaqe prej 4,15/ha.

Por, kërkesa e Kosmonte Foods, më datë 31.01.2019 refuzohet.

Një kompani tjetër nënshkruan me APK’në për marrjen në shfrytëzim të përkohshëm të tokës pyjore me qera

Në ndërkohë, më datë 28.02.2019, kompania “Mermer Granit Kosova”, me seli në Fushë Kosovë kërkon nga APK’ja marrjen në shfrytëzim të pёrkohëshёm tё tokës pyjore me qera. Komisioni profesional i rekomandon APK’së të aprovoj këtë kërkesë.

Pas disa muajsh, lidhet kontrata në mes APK’se dhe “Mermer Granit Kosova” për marrje në shfrytëzim të përkohëshëm të tokës pyjore me qera në sipërfaqe 3,0 198/ha për aktivitete biznesore, në vlerë 30,198 m² për ngastren kadastrale 00025-0 në Harilaq, F. Kosovë.

Pse është e rëndësishme pjesa ku kjo tokë merret nga një kompani tjetër do shpjegohet më poshtë…

Më datë 17.06.2020. “Kosmonte Foods” sërish paraqet kërkesë për vazhdimin e kontratës së kontratës së vitit 2015.

Por, më datë 20.07.2020 APK pezullon procedura administrative tё Kosmonte Foods për vazhdimin e kontratës. Refuzimi bëhet për shkak të shkeljes se kushteve të kontratës dhe lënda adresohet në gjykatë dhe gjithashtu është kërkuar hetim të kësaj lënde.

Ardhja e Qeverisë Kurti, mundësoi kompaninë “Kosmonte Foods” të shpallet investitor strategjik dhe t’i japet toka në shfrytëzim për 99 vjet

Që një kompani të marrë statusin e Investitorit Strategjik, duhet së pari të kaloj në disa procedura.

Një kompani, nuk mund të rekomandohet për Investitorë Strategjik, nëse ka probleme me ligjin. Kjo është e përcaktuar edhe në Udhëzimin Admisnitartiv (QKR) 15/2018 Për Mënyrën dhe Metodat e Verifikimit të Përmbushjes së Kritereve për Caktimin e Statusit të Investitorit Strategjik.

Ndaj kompanisë në fjalë, Agjencia e Pyetjeve kishte ngritur padi (siç është e dokumentuar më lart) për mosrespektim të kontratës. Nga burimet tona, Periskopi mëson se padia ende ekziston dhe pavarësisht kësaj ne kemi derguar pyetje drejt Ministrise së drejtuar nga Faton Peci, por të njejtit nuk janë pergjigjur në pyetjen tonë “A ekziston ende padia, apo shte terhequr?”. Padia ishte bërë nga qeverisja e kaluar.

Megjithatë, Ministrisë së Bujqësisë nuk i interesonte epilogu i gjykatës, donte që kompania të pajiset më pasaportën e Investitorit Strategjik, për çka do të kishte benifite nga shteti.

Kompania “Kosmonte Foods”, në shkurt të vitit 2019 ishte aplikuar në MINT. Më pas Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka bërë vlerësimin teknik të dokumentacionit të projektit të investimit strategjik.

Pasi ka konstatuar se është paraqitur dosja e plotë e projektit dhe pas kontrollit teknik të aplikacionit, Agjencia i ka kërkuar Komisionit Ndërministror që të themelojë Grupin Operacional, ku më pas ky i fundit, ka nxjerrë vendim për themelimin e Grupit operacional për përgatitjen, mbikëqyrjen dhe zbatimin e projektit për investime strategjike.

Pra, Grupi operacional është përgjegjës për të mbështetur profesionalisht Agjencinë për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në ndjekjen e të gjitha procedurave dhe përgatitjen e të gjitha dokumenteve ligjore, me qëllim përgatitje dhe realizimin e projektit investues strategjik.

Agjencia dhe Grupi operacional brenda njëzetë ditë punë nga data e emërimit nga komisioni Ndërministror, ka verifikuar dokumentacionin e parashtruar dhe ka kryer vlerësimin teknik, financiar, ligjor të dosjes së plotë të projektit.

Periskopi posedon edhe dokumentin kryesore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht dokumentin e Grupit Operacional i cili pas shqyrtimit të dokumentacionit i ka propozuar Komisionit Ndërministror vendimin për dhënien e statusit investim strategjik.

Grupi Operacional që ka shqyrtuar dokumentacionin e kompanisë ka qenë në përbërje prej 8 personave, dhe katër nga ta e kanë rekomanduar që kompania i plotëson kushtet që të shkojë në Qeveri për miratimi, dhe katër nga ta kanë konstatuar që nuk i plotëson kushtet. Vlen të theksohet se në Grup nuk figuron ndonje zyrtar i Agjencise se Pyjeve, edhe pse kjo Agjenci merret pikerisht me menaxhimin dhe administrin e pyjeve dhe tokave pyjore.

Pra, në situatën katër më katër, dokumenti nuk është dashur të shkojë në qeveri. Megjithatë, ky dokument ka shkuar në Qeveri në vitin 2021, pak muaj pasi Rozeta Hajdari kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Tregtisë.

Pra, siç shihet nga dokumenti që e posedon Periskopi, nënshkrimin në Rekomandim nuk e kanë vënë akterët kryesor si: Nida Krasniqi nga Ministria e Financave, Shqipe Qerkini Grainca nga Departamenti i Ndihmës Shtetërore, Furkan Erguler nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Muharrem Kurtaj nga Ministria e Drejtësisë (Zyra e avokatit shtresor).

“Bazuar në vendimin 01. Ref.Nr.11, Prishtinë, 16. 07.2020, të Komisionit Ndër-Ministror për Investime Strategjike për Formimin e Grupit Operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të aplikuesit- subjektit investues “Kosmonte Foods” SHPK, në bazë të Ligjit Nr.15/2018 për mënyrën dhe metodat e verifikimit të përmbushjes së kritereve për përcaktimin e statusit të investitorit strategjik, Grupi Operacional pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të publikuesit- subjektit investues “Kosmonte Foods” mbi aplikimin për marrjen e statusit investitor strategjik në Republikën e Kosovës, Komisionit Ndër Ministror i Rekomandon, dhënien e statusit investim strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, thuhet në dokument.

Para se te shkonte deri ne vitin 2021, duhet theksuar se, Qeveria Hoti e kishte në rend të ditës në mbledhje të Qeverisë, për të bërë ose jo Investitor Strategjik kompaninë në fjalë. Por pas një debati që kishin brenda mbledhjes, meqenëse APK paraprakisht ne baze te kerkeses së -ish-ministrit Besian Mustafa e kishte informuar ministrin per shkeljet qe i kishte bere kompania – u hoq nga rendi i ditës ky vendim.

Kujtojmë se gjatë Qeverisë Kurti I, kryeministri bashkë me ministren Rozeta Hajdari e kishin vizituar objektin e kompanisë “Kosmonte Foods në vitin 2020.

Sic edhe kemi raportuar më parë, burime të Periskopit bëjnë me dije se kompania “Kosmonte Foods” ishte përkrahëse financiare e fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje. Partia tani në pushtet, nuk ‘i ka harruar të mirat’ që ia ka bërë kjo kompani dhe e njëjta vendosi ta shpërblej atë duke e shpallur “Investitor Strategjik”.

Edhe pse në një vlerësim katër më katër, zonja Hajdari kur ka marrë drejtimin e Qeverisë e ka gjetur këtë rekomandim mbi tavolinë dhe e ka dërguar për aprovim në Qeveri. Më pas Qeveria Kurti ka marr vendim për aprovimin e projektit të statusit të investimit strategjik.

Më pas çështja ka shkuar për miratim në Kuvendin e Kosovës dhe votimi për të ka dështuar disa herë, pasi opozita ka konsideruar se operatori nuk ka qenë i kompletuar me letra konform Ligjit. Pas shumë përplasjeve, Kuvendi ka vendosur Pro.

Kompanisë “Kosmonte Foods” i jepet toka, pronë e shtetit, për 99 vjet teksa një kompani tjetër kishte kontratë dhe paguante qera për të

Siç është cekur më lart, më datë 28.02.2019, kompania “Mermer Granit Kosova” kishte kërkuar nga APK’ja marrjen në shfrytëzim të pёrkohëshёm tё tokës pyjore me qera. Komisioni profesional kishte rekomanduar që APK të Aprovoj kërkesen. Kompania Mermer Granit Kosova me datë 02.07.2019, lidh kontratë me APK-ne për aktivitete biznesore në tokën e njetë.

Pra, kompania “Mermer Granit Kosova”, kishte një kontratë 5 (pesë) vjeçare të nënshkruar për ta shfrytëzuar këtë pronë të shtetit, ku edhe sot paguan qeranë, megjithatë në vitin 2022 jashtligjshëm i hyn në tokën e njëjtë edhe kompania “Kosmonte Foods” pas nënshkrimit të marrëveshjes me Qeverinë Kurti II.

Periskopi ka kontaktuar edhe me kompaninë në fjalë, me pronar Sabit Gubetini. I njëjti i ka thënë Periskopit, se toka e shtetit që e ka në shfrytëzim për pesë vite është e nënshkruar me kontratë dhe paguan qera për të.

“Po është e vërtetë që në tokën ku ne e kemi në shfrytëzim për 5 vjet dhe e kemi të nënshkruar me kontratë me APK-në dhe paguajmë qera, na ka hy një kompani tjetër tash. Për këtë kemi paditur Ministrinë në Gjykatë”, tha Gubetini për Periskopin.

Më poshtë mund të gjeni edhe dokumentin e “Marrëveshjes për realizimin e projektit strategjik me subjektin Kosmonte Foods”, të nënshkruar nga ministrja Rozeta Hajdari dhe pronari i kompanisë, Lulzim Begaj.

Ministrja Rozeta Hajdari në Kuvendin e Kosovës para dy viteve pak para se kompania të shpallej investitorë strategjik, thoshte se “Kosmonte Foods” është terësisht e pastër.

Këto deklarata të ministres Hajdari erdhën pas përballjes që pati me opozitën se kompania kishte padi nëpër gjykata për shkelje të kushteve të kontratës. Vlera e tokës e cila i është dhënë në shfrytëzim Kosmonte Foods’it për 99 vjet kap vlerën afër 20 milionë euro. /Periskopi/