Lajme

Përfundon seanca në rastin e LVV-së ndaj NPB-së, aktvendimi brenda javës

10/17/2022 15:43
nga:Genita C

Aktvendimi në lidhje me padinë e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) pritet të publikohet brenda javës, ka bërë të ditur gjyqtari Dardan Shatrolli.

Gjykata pritet që brenda javës të marrë vendimin lidhur me kërkesën e LVV-së për vendosjen e masës së përkohshme ndaj projektit të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”.

Ndryshe, gjatë një konference për media para fillimit të senacës, zyrtari i LVV-së, Egzon Azemi deklaroi se projekti “është shumë i dyshimtë” dhe pretendoi se “17 mijë metra katrorë të qytetarëve janë në rrezik”.

VV-ja i ishte drejtuar në muajin gusht Gjykatës Themelore të Prishtinës, me padi për caktimin e masës së sigurisë ndaj kontratës “për ndërtimin e objektit të përbashkët banesor-afarist”, e lidhur mes NPB-së dhe një konsorciumi privat.

Lidhur me rastin, NPB-ja është ballafaquar në gjykatë edhe me padi nga Qeveria e Kosovës, por rastin e ka fituar me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Më 21 prill të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar padinë e Qeverisë së Kosovës për caktimin e masës së sigurisë ndaj projektit të iniciuar nga NPB-ja.

Po ashtu, paraprakisht në muajin shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka rrëzuar të njëjtën padi të Qeverisë së Kosovës kundër Ndërmarrjes Publike Banesore.

Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.