Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj njërit të arrestuar pas sulmit terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Në ndërkohë, pritet të caktohet masa e sigurisë.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, i cili dyshohet se u bë me rreth 20 kilogramë eksploziv, autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si sulm terrorist dhe se përgjegjëse thanë se është Serbia.
Sulmin e kanë dënuar ashpër edhe ndërkombëtarët.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar tetë persona, ndërsa gjatë kontrolleve në veri, Policia ka sekuestruar armë, municion, e pajisje tjera.
Mëngjesin e së dielës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit po kthehet në normalitet.


