Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të së enjtes, tha kryenegociatori serb, Petar Petkoviq
Duke folur për gazetarë në kryeqytetin belg, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.
Ai i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.
Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, shpresonte se do të tejkaloheshin dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihej një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend./REL