Lajme

Përfundon marrja në pyetje nga mbrojtja e dëshmitarit Ismaili, i cili tha se ishte anëtar i njësitit BIA

03/29/2022 16:42
nga:Astrit Gashi

Mbrojtja e Salih Mustafës, ka përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të tretë, Jakup Ismaili, i cili tha se ishte anëtar i njësitit BIA.

Dëshmitari Jakup Ismaili, ka thënë se sa i kujtohet takimi tjetër me Mustafën ka qenë dikur në fillim të prillit.“Dmth ka qenë fillimi i prillit, 7 ose 8 prill. Fillimi i prillit se prej takimit që ka qenë formal që unë nuk kam marr pjesë, në takimin e dytë ka shku 7-8 ditë, planet për me hi në Prishtinë, planet operative si me i tërhek barnat, ka qenë dikur pas 7-8 ditë. Diku fillimi i prillit, 7-8 përafërsisht, fillimi prillit”, tha dëshmitari.

Tutje, deklaroi se në atë takim, ku është folur për këto plane strategjike, ka qenë vetëm ai dhe Salih Mustafa, pasi në shtëpinë e dëshmitarit ka pasur furnizime me barna, pasi motra e babai i kanë punuar në Fakultetin e Mjekësisë.“Në shtëpinë time ka pasur edhe të zhvendosur nga rajonet tjera dhe është dasht me pas furnizim me barna. E kam njoftu çfarë sasie me barna ka pasur në shtëpi”, tha Ismaili.

Dëshmitari tha se plane konkrete për të hyrë ai si individ për të hyrë në Prishtinë dhe tërheq ato medikamente kanë qenë mes tij e Salih Mustafës, kurse tha se më vonë është shtrirë plani edhe të Mustafë Sopi dhe të tjerët.Ismaili ka deklaruar se e ka parë Mustafën dy apo tre herë që ka qenë te shtëpia e Mustafë Sopit e se ka lëvizur.

“A e dini gjë se ku i duhej të shkonte”, pyeti avokati Von Bone, e dëshmitari tha se atij personalisht nuk i kujtohet kjo.Dëshmitari tha se në rastet kur është takuar me Salih Mustafën, i njëjti nuk kishte veshje diçka të veçantë, kishte jelek gjuetie.“Përveç jelekut të gjuetisë, civil komplet”, tha dëshmitari, kurse tha se personalisht nuk ka parë ndonjë emblemë në veshjet e Mustafës, ndërkaq konfirmoi se kishte armë me vete të llojit “Skorpion” që nuk i kujtohet.Ai tha se personalisht ka qenë i veshur me rroba civile gjatë kohës që ka qëndurar në Butovc.

Dëshmitari konfirmoi se ka qenë anëtar i UÇK-së, në cilësi të ushtarit, ku bënte pjesë në njësitin BIA.“Ishte një formacion ushtarak, si çdo formacion tjetër”, tha ai.Tutje, tha se personalisht si anëtar të BIA-së ka njohur Mustafë Sopin, Halil Borovcin e se emrat tjerë nuk i kujtohen për momentin.

Ai tha se funksioni i tij brenda BIA-së ishte si ushtar dhe asgjë tjetër, kurse, konfirmoi se bën pjesë në shoqatë veteranësh të UÇK-së, ndërsa, tha se ka marrë pjesë në luftimet në Gollak.“A ka ndonjë dallim mes shoqatave të veteranëve sa u takon anëtarëve”, ka pyetur Von Bone.“Sa kam dijeni unë, janë veteranë, veteranë luftëtar, invalid. Këtë e di, nuk di më tepër”, tha ai, kurse tha se bën pjesë te veteranët luftëtar.Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtjes, u vijua me pauzën e drekës, ku më pas pritet t’i parashtrojnë pyetje dëshmitarit palët tjera.Dëshmitari thotë se me Salih Mustafën kanë biseduar se si të furnizohet popullata civile me ndihma humanitare