Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për aksionin “Transporti 2″ që është realizuar sot në në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut.
Siç bëhet e ditur Policia ka kryer kontrolle në katër lokacione tre në komunën e Shtërpcës dhe një në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe ka ndaluar e kontrolluar katër automjete me të cilat dyshohej se bëhej transport, gjegjësisht tregti e ndaluar dhe kontrabandë.
“Gjate kontrollit në këto katër lokacione dhe në automjetet e ndaluara është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial (gjera ushqimore, pije alkoolike, duhan etj.) mall i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës. Në konsultim me Prokurorin e Shteti, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë arrestuar njëmbëdhjetë meshkuj kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe janë sekuestruar tri automjete”, njofton Policia.
Tutje bëhet e ditur se hetimet për këtë operacion kanë filluar në fund të vitit 2021, me autorizim të prokurorisë, ndaj disa të dyshuarve shtetas kosovarë, me dyshim të kryerjes së veprës penale ‘tregti e ndaluar’.


