Sporti

Përfundimi i pjesës së parë, Milani nuk shkoi në zhveshtore, kjo është arsyeja

08/22/2023 08:00
nga:Mergim Rreci

Milani vendosi të kalonte të gjithë pushimin e pjesës së parë në pankinën e Stadio Dall’Ara, duke mos u kthyer në zhveshtore.

Kuqezinjtë ishin në avantazh prej 2-0 ndaj Bolognas me golat e Olivier Giroud dhe Christian Pulisic kur gjyqtari dha shenjë për përfundimin e pjesës së parë, shkruan GazetaBlic Sport.

Bologna u rikthye në tunel si zakonisht, por Stefano Pioli dhe lojtarët e tij të Milanit mbetën në stol dhe në vijën e pritjes, me trajnerin duke i dhënë skuadrës së tij instruksione dhe këshilla për pjesën e dytë.

Sipas DAZN, vendimi është marrë nga Pioli dhe stafi i tij pasi klimatizimi në dhomën e zhveshjes në Stadio Dall’Ara është i pamjaftueshëm për të përballuar vapën ekstreme të mbrëmjes.

Për shkak të temperaturës, të gjitha ndeshjet e Serisë A në dy xhirot hapëse do të luhen në mbrëmje, pasi në gusht mbetet jashtëzakonisht e nxehtë në Itali.

Është një qasje e pazakontë për Milanin, por që nuk është kundër rregullave.

/GazetaBlic Sport/