Pas reshjeve të shiut në fshatin Komoran të komunës së Drenasit disa shtëpi janë përfshirë nga uji.
Në vendin e ngjarjes kanë dalur ekipet e zjarrfikësve dhe drejtori i emergjencave nga komuna e Drenasit.
Në këtë komunë ka vërshime edhe në fshatra tjera.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për vërshime të dielën, duke u bazuar në situatën e përgjithshme meteorologjike në vend.
IHMK njofton se edhe në rajon situata meteorologjike nuk është stabile, e cila është duke u përcjellë edhe me reshje shiu.
“Këto reshje kanë ndikuar edhe në tejngopjen e tokave, sidomos nëpër viset e ulëta dhe përgjatë rrjedhave lumore. Situatë e tillë me reshje, parashikohet të mbajë edhe gjatë ditëve në vijim, ku duke filluar nga nesër dt: 12/06/2023, pritet që të ketë reshje në intervale të ndryshme, duke përfshirë pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në disa zona ato do të jenë më intensive, të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal, sidomos në lumenjtë me karakter të rrëkeve, të cilat zbresin prej viseve malore, ku si pasojë do të ketë tejkalim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, probleme në komunikacion, bujqësi etj”, thueht në njoftimin e Insitutit Meterologjik të Kosovës.