Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha ka vizituar sot Komunën e Hanit të Elezit, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Mehmet Ballazhi, i cili shprehu përkrahje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të çlirimtarëve që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.
Gjatë takimit, Hoxha prezantoi aktivitetet dhe angazhimin në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për Marsh, si dhe shprehu mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Hanit të Elezit.
“Mbështetja që po marrim nga komunat dhe kryetarët e tyre dëshmon se kjo kauzë i tejkalon dallimet dhe buron nga vetë ndërgjegjja qytetare”, theksoi Hoxha.
Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi tha se përkrahja e këtij Marshi dhe pjesëmarrja në të është obligim i secilit.
“Kjo është një thirrje që meriton mbështetje të gjerë qytetare. U kam bërë dhe u bëj thirrje qytetarëve të Hanit të Elezit dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët”, deklaroi Ballazhi.
Kjo nismë e platformës “Liria ka Emër” deri më tani ka marrë përkrahje nga të gjitha kategoritë e shoqërisë dhe pritet të intensifikohet deri më 17 shkurt.


