Lajme

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell uron kryeministrin Kurti: Lufta ndaj pandemisë, prioritet kryesor

04/09/2021 19:22
nga:M K

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, njëherësh nënkryetar i Komisionit Evropian.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka uruar kryeministrin Kurti për formimin e qeverisë së re dhe i ka dëshiruar suksese në detyrën e Kryeministrit të Kosovës. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian ka qëndruar fort pranë Kosovës dhe popullit të saj në luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Kjo luftë do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën teksa përparon në rrugën e saj evropiane. Do të nevojiten përpjekje të vendosura për reforma, për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik. Bashkimi Evropian është i gatshëm t’ju mbështes në këtë drejtim”, ka shkruar z. Borrell.

Në vazhdim të letër urimit, Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka thënë se kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj, gjithashtu kërkon një vazhdim të shpejtë të dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

“Unë kam dëshirë që t’ju pres për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe qëndroj fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

LEXO EDHE:

Vaksinohet çifti nga Prishtina që qëndroi i mbyllur për 1 vjet e dy muaj shkaku i koronavirusit