Lajme

Perëndimi po përgatitet për luftë bërthamore

06/28/2022 09:12
nga:Astrit Gashi

Edhe pse të gjithë shpresojnë se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk është aq i çmendur sa të nisë një luftë bërthamore, Perëndimi po përgatitet për një mundësi të tillë.

Nëse Putin vendos të sulmojë Ukrainën me raketa me rreze të shkurtër veprimi, ata do të duhet të lëvizin nga magazinat qendrore, të quajtura objektet “C”. Një nga ato pika, Belgorod-22, ndodhet 25 kilometra nga kufiri ukrainas.

Prej aty, raketat bërthamore do të duhej të transportoheshin në bazat ushtarake. Do të duheshin disa orë që kokat bërthamore të vihen në gatishmëri.
Autoritetet amerikane do të mësonin shpejt për veprimet e ushtrisë ruse, përmes vëzhgimit satelitor, agjentëve sekretë dhe “kamerave të fshehura përgjatë rrugëve”, dhe më pas SHBA-të dhe vendet e tjera me arsenal bërthamor do të duhet të vendosin se si t’i përgjigjen agresionit.

Administrata e Joe Biden nuk ka folur në mënyrë specifike se çfarë mund të bënte nëse Rusia përdor armë bërthamore në luftën me Ukrainën, përveçse u kufizua në deklaratat se një sjellje e tillë do të ishte “absolutisht e papranueshme”.

Por qeveria amerikane vlerëson se Rusia mund të kryejë një sulm “bërthamo” ndaj ukrainasve në disa mënyra.

Këto janë, sipas revistës Atlantic, shpërthimi i një bombe bërthamore mbi Detin e Zi si një demonstrim i forcës dhe qëllimit pa viktima të drejtpërdrejta; një përpjekje për të shkatërruar udhëheqjen e Ukrainës duke goditur bunkerët e Presidentit Volodymyr Zelensky dhe këshilltarëve të tij; një sulm në një bazë ushtarake ose magazinë ukrainase pa synimin për të dëmtuar civilët; shkatërrimi i ndonjë qyteti të tërë dhe masakrimi i civilëve për të krijuar terror dhe për ta detyruar armikun të heqë dorë menjëherë nga lufta.

Nëse Putini zgjedh ndonjë nga këta hapa “për të përfunduar punën në Ukrainë”, atëherë Biden dhe rrethi i tij i brendshëm do të duhet të marrin në konsideratë jo vetëm një nga ata skenarë, por edhe se si Rusia do të reagojë ndaj përgjigjes së SHBA-së.

Sam Nunn, një ish-senator dhe këshilltar jozyrtar i Barack Obamës, beson se Biden me të drejtë po bën deklarata të paqarta për reagimin ndaj përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore.

Nunn, i cili dikur kryesonte komitetin senatorial për forcat e armatosura dhe punoi ngushtë me homologët e tij rusë, përfshirë ata për armët bërthamore, e quan një strategji të tillë “paqartësi të qëllimshme” dhe e konsideron situatën aktuale edhe më të rrezikshme se kriza kubane.
Megjithatë, Nunn beson se edhe në rastin e përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë, një hakmarrje e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë zgjidhja e fundit.