Lajme

Perëndimi paralajmëron kundër kremtimit të ditës së Republikës Serbe në Bosnjë

01/09/2025 12:57
nga:Sh R

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian bënë thirrje për respektimin e sovranitetit, tërësisë tokësore dhe rendit kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës, mes përgatitjeve të përfaqësuesve serbë për kremtimin e ditës së Republikës Serbe, që është shpallur jokushtetuese dhe paralajmërimeve për shkëputjen e këtij entiteti.

Kremtimet mbahen në shenjë kujtimi të 9 janarit të vitit 1992 kur serbët e Bosnjës shpallën krijimin e shtetit të tyre, duke filluar luftën shkatërruese katërvjeçare, që la pas vetes mbi 100,000 të vrarë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian theksuan se Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur në disa raste se kremtimi i Ditës së Republikës Serbe është jokushtetues dhe se ky vendim është i mbështetur në ligjet e vendit.

Duke theksuar se të gjitha entitetet janë të detyruara të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjës përfshirë vendimet detyruese dhe përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, ambasada amerikane theksoi se mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një vepër penale.

“Shtetet e Bashkuara presin që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore të ndërmarrin veprime të shpejta dhe vendimtare për të hetuar çdo shkelje të ligjit në lidhje me festimin e Ditës së Republikës Serbe me 9 janar”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane.

Bashkimi Evropian nënvizoi ndërkaq detyrimin për të respektuar sovranitetin, tërësinë tokësore, rendin kushtetues, përfshirë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“BE-ja i kërkon udhëheqjes politike të entitetit të Republikës Serbe të përmbahet dhe të heqë dorë nga retorika dhe veprimet provokuese e përçarëse, përfshirë vënien në pikëpyetje të sovranitetit, unitetit dhe tërësisë tokësore të vendit”, thuhet në një deklaratë të Delegacionit të BE-së në Sarajevë.

Lufta në Bosnjë mori fund në vjeshtën e vitit 1995 me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Marrëveshja e arritur në Dejton çoi në krijimin e entitetit serb dhe atij boshnjako-kroat në Bosnje, që mbahen të lidhura nga institucione të dobëta qendrore.

Serbët e Bosnjës, megjithatë, synojnë të fitojnë sa më shumë pavarësi të jetë e mundur. Udhëheqësi nacionalist pro-rus Milorad Dodik ka bërë thirrje hapur për shkëputje nga Bosnja, duke sfiduar sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë ndaj tij për shkak të qasjes politike.

Në prag të kremtimeve të shpallura jokushtetuese, ai i tha televizionit proqeveritar të entitetit serb se “është detyrë e shenjte e Republikës Serbe të dalë nga Bosnja dhe Hercegovina…”. /VOA