Avokati Arianit Koci i ka bërë thirrje kryeministrit, ministrit të brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të merren me problemin e përdorimit të telefonave gjatë vozitjes, që thotë se është gjendje alarmante, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook thotë se kjo shkakton aksidente të shumta, duke shtuar se lidhur me këtë dukuri policia këqyr seri.
Postimi i tij i plotë:
I nderuari kryeminister;
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme;
I nderuari drejtor i Përgjithshëm i Policisë;
Jam i vetëdijshëm që keni punë të tjera, që në shikim të parë duken më të mëdha, por besoj që me zgjidhjen e problemeve ditore, fillon edhe zgjidhja e problemeve madhore.
Përdorimi i telefonave gjatë vozitjës te ne, në Kosovë, ka marrë përmasa shqetësuese. E përdorin vozitësit e veturave të vogla, zonjat, zotërinjtë, taksistët e madje edhe shoferët e autobusëve dhe kamionëve.
Gjendja është alarmante!
Qytetari i Kosovës rrezikohet çdo ditë!
Besoj se telefoni është shkaktari numër një i aksidenteve të komunikacionit.
Ndërkohë, Policia po “kqyrë seri”!
Prandaj, ju lus që ta përdorni autoritetin tuaj që menjëherë ta obligoni policinë që të fillojë me fushata që përfshijnë dënime të ashpra për ata që e përdorin telefonin gjatë ngasjes.
Besoj që kjo do të ishte veprimin i duhur për zvogëlimin e aksidenteve dhe, rrjedhimisht, rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.


